Moti i keq me rrebeshe shiu dhe stuhi ka përfshirë orët e pasdites qytetin e Beratit, duke shkaktuar probleme në çdo aks rruge dhe në shumë lagje. I favorizuar edhe nga era e fortë, shiu ka bllokuar si rrugët kryesore ashtu edhe ato të shumë lagjeve të qytetit, duke vështirësuar lëvizjen e automjeteve dhe të këmbësorëve.
Rreshjet intensive të shiut që vijojnë ende pa ndërprerje, kanë vërshuar në disa nga rrugët kryesore të qytetit që janë ende nën pushtetin e ujit dhe në shumë lagje, ku njerëzit po qarkullojnë me vështirësi.
Situata më problematike paraqitet në akset rrugore: “Spital-Uznovë”, “Kthesa e Gjykatës”, “Stadiumi i Vjetër”, “Çelepias”, “Tregu Industrial” etj, ku uji ka vërshuar në rrugë.
Shiu nuk ka kursyer as Tregun Industrial dhe Stadiumin e Vjetër të qytetit, që prej disa orësh janë në ujë ashtu si dhe shumë lagje të qytetit, ku është e pamundur të hysh në këmbë pa çizme.
Kjo situatë në Berat përsëritet sa herë që ka reshje intensive shiu dhe shkak për këtë mendohet të jetë bllokimi i tubacioneve nëntokësore të ujërave, të cilat kanë bërë që i gjithë uji të dalë në rrugët e qytetit dhe në çdo lagje.
Reshjet e shiut por edhe prurjet e mëdha nga përrenjtë kanë sjellë edhe rritjen e prurjeve të lumit Osum, kuotat e të cilit sa vijnë dhe rriten. Sipas raportimeve, në rrugë kanë dalë shërbimet zjarrfikëse dhe punonjësit e shërbimit të bashkisë, të cilët po zhbllokojnë pusetat e bllokuara nga prurjet dhe janë në gatishmëri për çdo situatë të mundshme që mund të krijohej.
(F.GJ/FAXWEB.AL)