Grida Duma është një nga emrat e lakuar shpesh brenda Partisë Demokratike për drejtimin e këtij sublekti, ndërsa kanë mbetur dhe vijojnë të mbeten vetëm zëra teksa ajo është përballur sot me pyetjen nëse do ta dëshironte diçka të tillë.
E ftuar në programin “Rudina” në Tv Klan, Duma ka realizuar një intervistë ndryshe, ku i është përgjigjur pyetjeve së drejtueses së emisionit, Rudina Magjistari, por edhe atyre të publikut.
Pyetjes nëse do donte të ishte kryetare e Partisë Demokratike ajo iu përgjigj:
“Absolutisht jo, asnjëherë, as e kam pranuar, as e kam menduar si logjikë. Kam patur poste drejtuese. Nuk më ka shkuar në mendje asnjëherë”.
Ndërsa për përvojën në foltorën e parlamentit, Duma tha se uk i mungonte.
“Foltorja e Kuvendit në vetvete jo nuk më mungon. Media e ka zëvendësuar më mirë se sa aq, për hir të së vërtetës. Por një lloj rimendimi që mund të bëj shumë të tepër, në kuptimin po të kishte vërtet jetë parlamentare, padiskutim që e kam këtë domethënë. Njerëzit që bëjnë karrierë politike, foltoren e Kuvendit e kanë pjesë të ëndrrës së tyre të karrierës, domethënë aty mund të shpalosësh çdo gjë. Por jo, nuk është ky konteksti në Parlamentin shqiptar dhe për aq pak kohë sa qëndrova, domethënë nuk pashë që ishte e mundur kjo. Sigurisht koha e ardhme do të sjellë padiskutim ne shpresojmë një realitet më të mirë politik. Por deri sot nuk shoh që kemi humbur ndonjë gjë në kuptimin e impaktit, se pastaj të gjitha gjërat e tjera janë relative”, tha Duma.
Kujtojmë se ish-deputetja dhe përfaqësuesja e lartë e Pd-së ka pasur një sërë përplasjesh në çështje këndvështrimesh me kreun e opozitës, Lulzim BAsha. Vlen të theksohet fakti se Duma është shprehur pro ndryshimit të sistemit zgjdhor si dhe ka deklaruar se protestat nuk duhej të ndaleshin nga opozita, qëndrime këto që në veprimet e ndërmarra konkretisht nga Basha shihet e kundërta.
(F.GJ/FAXWEB.AL)