Frika nga mospranimi, presioni, madje edhe frika prej largimit nga puna bën që 73 për qind e personave të komunitetit LGBTI (lesbiket, homoseksualët, biseksualët, transgjinorët, ndërgjinorët) në Maqedoninë e Veriut, të mos e shprehin lirshëm orientimin e tyre seksual në vendin e punës, thonë të dhënat e hulumtimit të realizuar nga Agjencia e Bashkimit Evropian (BE) për të Drejtat Themelore.
Madje, 27 për qind e pjesëtarëve të këtij komuniteti, në bazë të hulumtimit në fjalë, kanë theksuar se pasi kanë treguar orientimin e tyre seksual në vendin e punës, janë ballafaquar me diskriminim. Hulumtimi në fjalë i përfshinë të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian, megjithëse për dallim nga hulumtimi i fundit i këtillë i realizuar në vitin 2019, tani në të janë përfshirë edhe tri shtete të Ballkanit Perëndimor, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Shqipëria.
Organizatat që në fokus kanë mbrojtjen e të drejtave të personave LGBTI theksojnë se shqetësuar është fakti se në bazë të hulumtimit të realizuar nga Agjencia e Bashkimit Evropian për të Drejtat Themelore, 18 për qind e pjesëtarëve LGBTI janë shprehur se pothuajse çdo herë kanë mendime për të bërë vetëvrasje, përderisa 27 për qind e tyre ngaherë, ose herë pas here mendojnë për vetëvrasje.
Në raportin në fjalë theksohet rasti i 19-vjeçarit biseksual nga Maqedonia e Veriut, i cili ka kërkuar ndryshimin e ligjeve që do të mundësonin më shumë siguri për personat e komunitetit LGBTI. “Kam frikë se nuk mund të duroj më, kam frikë se sërish do të tentoj të vetëvritem”, ka theksuar 19-vjeçari nga Maqedonia e Veriut. Në hulumtimin e realizuar nga Agjencia e BE-së për të Drejtat Themelore, thuhet se rritja e mendimeve suicide te personat LGBTI, ashtu si në shtetet e BE-së, edhe në Maqedoninë e Veriut janë rrjedhojë e rritjes së gjuhës së urrejtjes dhe dhunës ndaj këtij komuniteti.