Petrit Qoli, i akuzuar për veprën penale të vrasjes me paramendim dhe i përfshirë në dosjen “Plumbi i Artë”, ka hedhur akuza të forta ndaj bashkëpunëtorit të tij, Nuredin Dumani. Ky i fundit nuk u paraqit në seancën e gjykatës për shkak të arsyeve shëndetësore.
Nga qelia e burgut, Qoli shprehu lumturinë për SPAK dhe Gjykatën e Posaçme, por në të njëjtën kohë shprehu shqetësimin se po detyrohet të bëhet vrasës si Nuredin Dumani. Ai tha: “Si çdo shqiptar, edhe ata të diasporës, jam i lumtur për SPAK dhe Gjykatën e Posaçme. Dumani, si vrasës me pagesë, shijon jetën jashtë dhe ne mbetemi të baltosur. Ai do Coca Cola, palestër dhe femra. Unë kam humbur 40 kg, jemi në burg kot. Kam 25 vjet besimtar, por prokuroria dhe gjykata mund të ma heqin baltën. Kam frikë se do vdes nga veremi, jo nga burgu.”
Më tej, Qoli e cilësoi Dumanin si “mongol leshator” dhe u shpreh se mund të bëhen si ai, duke vrarë 5-6 persona dhe duke marrë 5 milionë euro nga grupet kriminale për të fituar statusin.
Gjykata ka pezulluar afatin e paraburgimit për të gjithë të akuzuarit deri në seancën e ardhshme, e cila do të zhvillohet më 4 mars.