Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, do të prezantojë të mërkurën në Bruksel metodologjinë e rishikuar të procesit të anëtarësimit në BE. Varhelyi do t’iu drejtohet gazetarëve pas takimit të Kolegjit të Komisionit Evropian, thuhet në ueb-faqen e Parlamentit Evropian.
Sipas dokumentit, metodologjia e re e bën të mundur pezullimin ose kthimin në fillim të bisedimeve të pranimit, në rastet kur vendet kandidate nuk përparojnë në asnjë fushë.
Me këtë metodologji, shtetet anëtare të Bashkimit Evropian do të kenë më shumë fuqi për të iniciuar pezullimin e negociatave të pranimit. Kjo metodologji nuk do të zbatohet për Serbinë dhe Malin e Zi, por mbetet e hapur mundësia që edhe këto dy vende të përfshihen në qasjen e re nëse ato pranojnë.
“Derisa përparimi në reforma duhet të inkurajohet dhe të shpërblehet në mënyrë më të prekshme, njësoj nevojitet të ketë edhe masa më vendimtare që do të sanksiononin çdo stagnim serioz ose afatgjatë ose ngecjen në zbatimin e reformave dhe plotësimin e kërkesave të procesit të pranimit”, thuhet në dokument.
Metodologjia e re është iniciuar nga Franca, vitin e kaluar. Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka bllokuar nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke kërkuar reforma të mëtejshme nga këto dy vende, por edhe reformim të vetë procesit të zgjerimit të BE-së.
Bashkimi Evropian aktualisht ka 27 vende anëtare, pasi Britania e Madhe ka dalë nga blloku më 31 janar./ Burimi: REL