Pasi socialistët thyen për herë të parë në 30 vite bastionin e të djathtëve, tashmë kanë gati planin për transformimin e Thethit. Teksa ndau 200 certifikata pronësie për banorët dhe njoftoi faljen e gjobave për ndërtimet pa leje, kryeministri Rama tha se qeveria dhe Bashkia e Shkodrës kanë gati projektin dhe fondin për të investuar në Theth. Paketa e maleve është drejt përfundimit, ndërsa gjatë takimit me banorët Rama zbuloi disa prej lehtësive që pritet të sjellë për këtë zonë turistike.
Ndërsa do të vijohet ende me shpërndarjen e tapive, kryeministri lajmëroi se do të ketë lehtësira për të gjithë ata që do duan të investojnë në Theth, të cilëve do t’u mundësohet që të marrin leje ndërtimi ndërsa presin për certifikatën e pronësisë. Kjo mënyrë shihet nga qeveria si një mbështetje edhe për të gjithë emigrantët që do duan të kthehen për të investuar në atdhe, ndërsa premtoi edhe garanci nga qeveria në rast se do të aplikojnë për kredi.
“Po ndërtojmë program të veçantë për malet që të mund t’u jepet toka, që tu jepet mundësia të ndërtojnë me leje para se të marrin titullin përfundimtar të pronësisë, në marrëdhënie me shtetin, me atë qiranë e famshme 1 euro për të marrë tokën për të ndërtuar dhe ndërkohë vazhdon proceset”, tha Rama.
Me paketën e maleve, kreu i qeverisë u shpreh se parashikojnë një sistem më të lehtë taksimi, e ndërsa bëri me dije se do të heqin çdo taksë ndërtimi.
“Do bëjmë sistem më të lehtë taksimi. Do paguani TVSH 20% së restorante, hotel, nëse certifikoheni si agroturizëm duke patur titullin e pronës ju do paguani një TVSH 6%, tatim fitimin e keni 0 si biznes si vogël. Duam t’iu heqim çdo taksë për lejet e ndërtimi, për çdo gjë, do ju heqim çdo lloj burokracie”, vijoi Rama.
Për këtë zonë të veriut, parashikohet edhe ndërtimi i një linje energjetike nga Dedaj, Kopliku, Razma deri në Bogë, që pritet të zgjidhë problematikën e furnizimit me energjinë elektrike. Ndërkohë, parashikohet edhe mbështetje për të gjithë ata që do duan që të vendosin panele diellore, por duke ruajtur arkitekturën e zonës.