Partia Socialiste nuk gjen qetësi nga intrigat e brendshme. Dhe kjo ka ndodhur fill pas ndërrimit të disa ministrave të kabinetit qeveritar në muajin dhjetor.
Ditën e djeshme në media një vend i veçantë iu rezervua sekretarit të parë të konsullatës shqiptare në Selanik, Artur Porpollogu, i cili është prekur nga vala e shkarkimeve në shërbimin diplomatik. Sipas argumentimit të Ministrisë së Jashtme, që drejtohet nga Gent Cakaj, thuhet se Porpollogu ishte jashtë sistemit të shërbimit të jashtëm si dhe i kishte mbaruar mandati 3-vjeçar.
Për rrjedhojë, lirimi i tij nga detyra sipas tij është konform ligjit.
Por, Artur Porpollogu nuk e ka kapërdirë këtë fakt, dhe ka përpiluar një letër publike (e botuar fillimisht në Panorama) me një lum akuzash ndaj Ministrit të Jashtëm, Gent Cakaj.
Në fakt, mes rreshtave të letrës, duket që ka një dorë të fshehtë dhe ai mund të jetë ish Ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi. Porpollogu është me origjinë nga Devolli, dhe në të shkuarën ka shërbyer si shoqërues dhe disa herë si shofer, gjatë fushatave zgjedhore të Niko Peleshit.
Pikërisht, këtë lidhje mes Porpologut dhe Peleshit, e njohin të gjithë në Korçë. Madje, thuhet se vetë Niko Peleshi ka ndërhyrë për të emëruar si Sekretar në Ambasadën shqiptare të Greqisë.
Kohët e fundit, Niko Peleshi, si dhe disa ish ministrash, janë bërë bashkë për të sulmuar, denigruar, pasaardhësit e tyre në qeveri. Nga rilindas të përbetuar, sot një pjesë këtyre ish ministrave nuk e dinë as vetë se kujt force politike i shërbejnë.
Duke gërryer Partinë Socialiste nga brenda, qëllimi kryesor është dëmtimi i qeverisë së re të Kryeministrit Rama. Ky i fundit përballet sot me disa protesta popullore, për shkak të pakënaqësive të rritura, të cilat vijnë nga keqqeverisja, ku bënte pjesë edhe Niko Peleshi.
Burimi: Gazeta SHQIP