Familjarët e 39-vjeçarit Altin Mulla i cili u ekzekutua në kufirin greko-shqiptar (zonën e Janinës), pas shkëmbimit të zjarrit me një grup trafikantësh të drogës, janë tronditur nga ngjarja, ndërsa kanë hapur dyert e mortit.
Lajmi për humbjen e djalit, i cili kishte vetëm tre muaj që kishte dalë nga burgu i Peqinit, ku kishte kryer dënimin prej 16vjet e 8 muaj heqje lirie për një vrasje ka shokuar pjesëtarët e familjes Mulla nga fshati Fushë-Vërri e Delvinës. Ndërsa e prisnin të kthehej në shtëpi dhe të futej në rrjedhën normale të jetës, Mulla nuk ka hequr dorë nga aktiviteti kriminal, gjë që i kushtoi edhe jetën.
Me zemrën e thërrmuar nga dhimbja për vdekjen e të birit, Merzi Mulla u ka kërkuar të afërmve dhe miqve të familjes që mos të qanin për djalin e saj.
“Mos qani asnjëra! E prita boll, nuk e deshi jetën”, është shprehur nëna e 39-vjeçarit.
Si e mësoi nëna lajmin
Të premten, pas konfirmimit zyrtar se personi i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë greke në fshatin Visani të Pogonit në Janinë është Altin Mulla, banor i fshatit Fushë Vërri, Bashkia Delvinë, persona të autorizuar si kryeplaku i fshatit, administratori i Njësisë Administrative Vergo, inspektori i zonës dhe një bashkëfshatar nga lagja shkuan në shtëpinë e viktimës për të njoftuar familjen e tij.
Në shtëpi ndodhej vetëm e ëma, 76 vjeç, e cila është habitur nga kjo vizitë e beftë. Kryeplaku i fshatit ishte ai që iu drejtua nënës duke i thënë: “Tani ne na duhet të të themi se pse kemi ardhur këtu dhe në këtë orë. Jemi njoftuar se djali yt, Altini është vrarë në Greqi gjatë një shkëmbim zjarri me policinë greke”.
E moshuara ka shtangur nga lajmi i kobshëm dhe nuk ka folur fare. Ajo ka hapur dyert e mortit, ndërsa banorë të zonës, por edhe miq e kushërinj të familjes Mulla kanë shkuar për ngushëllim.
Merzia, nëna 76-vjeçare e Altinit dhe dy djemve të tjerë, që është e vetme në shtëpi iu ka thënë atyre që të mos derdhnin lot për djalin e saj. Mbrëmjen e së premtes mbërritën në shtëpi edhe dy djemtë e tjerë të familjes Mulla, njëri që banon në Kaparjel dhe tjetri në Tiranë.