Të dielën (19 prill), presidenti i Brazilit Jair Bolsonaro iu bashkua një proteste në kryeqytetin e vendit, ku sipas vëzhguesve politikë thuhet se protestuesit ishin mbështetës të krahut të djathtë të Bolsonaro, të cilët kërkuan ndërhyrje ushtarake në emër të presidentit, për shkak se e shohin Gjykatën Supreme dhe legjislaturën e vendit, si pengesa në fushatën e tij kundër masave të bllokimit të pandemisë, pavarësisht nga fakti se vendi ka më shumë se 35,000 raste të konfirmuara dhe mbi 2,300 vdekje.
Presidenti nuk mbajti një maskë dhe u kollit disa herë, teksa fliste në turmën e mijëra mbështetësve në Brasilia. ”Ne nuk do të negociojmë asgjë. Duam aksion për Brazilin”, tha Bolsonaro.
Qeveritë kombëtare dhe lokale në vend kanë lëshuar mesazhe të ndryshme sa i takon sjelljes gjatë pandemisë. Teksa Bolsonaro kundërshton kufizimet e rrepta, qeveritë shtetërore dhe vendore në disa nga zonat më të goditura nga Brazil kanë mbyllur shkollat, bizneset dhe kanë nxitur njerëzit që të qëndrojnë brenda.
Javën e kaluar, Bolsonaro shkarkoi ministrin e tij të Shëndetësisë pas disa javësh debate për masat e izolimit social. Gjatë një konference për shtyp për të prezantuar ministrin e tij të ri, ai përsëriti se bizneset duhet të rihapen për t’u siguruar që pasojat ekonomike nuk do të jenë më të rënda se virusi. Sidoqoftë, sondazhet tregojnë se shumica e brazilianëve mbështesin izolimin shoqëror.