Presidenti Ilir Meta ka dekretuar “Rishpalljen e thirrjes për paraqitjen e kandidaturave për plotësimin e vendit vakant gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese “Vakancë e parakohshme”.
Afati i paraqitjes së kërkesës për shprehjen e interesit së bashku me dokumentacionin e nevojshëm bashkëlidhur është data 18 tetor 2019.
Kujtojmë se një nga kushtet që Gjermania kërkon është që të ngrihen Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë, si dhe të arrihet një dakordësim për reformën zgjedhore, përpara konferencës së parë Shqipëri-BE, që konsiderohet si çelja zyrtare e negociatave të anëtarësimit.
D E K R E T
“PËR RISHPALLJEN E THIRRJES PËR PARAQITJEN E KANDIDATURAVE PËR PLOTËSIMIN E VENDIT VAKANT GJYQTAR NË GJYKATËN KUSHTETUESE “VAKANCË E PARAKOHSHME””
Në mbështetje të neneve 93, 125, 127 pikat 1/c, 2, 3, dhe nenit 179 pika 2 të Kushtetutës, neneve 7 pika 2, 7/a, 7/b, 7/dh pika 2, 86 pika 4 shkronja “d”, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, pasi vlerësova njoftimin nr. 530 prot, datë 26.09.2019 dhe Vendimin nr. 137, datë 21.09.2019, të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, nëpërmjet të cilit, KED ka vendosur pezullimin e procedurës së verifikimit të kandidaturave dhe njoftimin e Presidentit të Republikës për të vlerësuar rishpalljen e thirrjes për paraqitjen e kandidaturave për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e parakohshme e shpallur nga Presidenti i Republikës me Dekretin nr. 10723, datë 07.02.2018, për shkak se në përfundim të procedurave të verifikimit të ndjekura nga KED, rezulton se në garë për plotësimin e këtij vendi vakant kanë ngelur vetëm dy kandidatë,
Dekretoj:
Neni 1
Rishpalljen e procedurës së aplikimit për plotësimin e vendit vakant gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë me qëllim plotësimin e “Vakancës së parakohshme” të krijuar për shkak të përfundimit përpara kohe të mandatit të ish-gjyqtarit, zotit Besnik Imeraj.
Neni 2
Rishpallja e kësaj procedure aplikimi dhe publikimi i saj sipas tekstit bashkëlidhur, të bëhet menjëherë në mjetet e informimit publik dhe në faqen zyrtare të internetit të Institucionit të Presidentit të Republikës.
Neni 3
Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.