Nga Tomorr Alizoti:
Një qeverisje e nisur me pritshmëri të larta me premtime joshëse të ngjashme me ato të drejtuesve të regjimeve komuniste apo naziste, e dominuar egërsisht nga propaganda antiopozitare, duke e konsideruar PD-në gati klasë të përmbysur, siç bëri Partia Komuniste në vitin 1994 me nacionalistët dhe antikomunistët, e zhytur rehatisht dhe me vetëdije në korrupsion masiv koncesionesh dhe tenderash për ndërtime sheshesh, shatërvanësh dhe fasadash, është vënë përballë një reagimi që duket se e kapi krejt befasisht.
Kalimi i ditëve rriti, siç vijon ta bëjë, ankthin tek ai dhe qeveria. Rritja e ankthit rriti vazhdimisht, siç po i rrit ende, përpjekjet për të sulmuar, poshtëruar, zbehur, zhbërë protestën. Në fillim ngriti çadra, ku kërkoi të firmoste populli për vetingun, me nëntekstin se protesta e PD-së ishte kundër interesit të popullit, pra kundër vetingut. Këto çadra u bënë objekt humori dhe turpi dhe u mbyllën. Askush nuk di më për to. Ditë e fundit qeveria, kryeministri dhe njerëz të tij në media, po përpiqen të ndërtojnë një fabul të madhe, sikur protesta e PDsë është e izoluar ndërkombëtarisht, sikur vendimmarrësit e mëdhenj, njëherazi dhe miqtë e mëdhenj të vendit tonë, SHBA-të, BE-ja, Gjermania etj., janë kundër protestës, kundër bojkotit.
Momentet e vështira shtyjnë gjithmonë pjesën emocionale të marrë vendime dhe pjesa emocionale zakonisht përdor mekanizma mbrojtës, të cilët nuk kujdesen fare për moralin, normën, të drejtën. Kjo gjë ka ndodhur këto ditë. Menjëherë pasi kryetari i PD-së, Lulzim Basha, u kthye nga SHBA-të pas një vizite jashtëzakonisht të rëndësishme dhe të suksesshme, ku pati takime me njerëz të fushatës së Presidentit Trump, të ekipit të tij politik, me drejtues të lartë të Kongresit dhe Senatit dhe ku z. Basha mori mbështetje të plotë për protestën dhe për kërkesën e panegociueshme të zgjedhjeve të lira, qeveria dhe njerëzit e saj, të shokuar, prodhuan një fabul, sajuan një reagim, gjetën një mënyrë të gënjejnë.
Ata thanë se një “zëdhënës” i Ambasadës Amerikane në Tiranë u shpreh se Presidenti Trump nuk mbështet protestën dhe është kundër bojkotit të Parlamentit. “Zëdhënësi” i Ambasadës, së pari nuk dihet kush është, së dyti nuk është zëdhënës i ekipit politik apo i stafit që drejtoi fushatën e Presidentit Trump, nuk është zëdhënës i Kongresit, as i Senatit dhe, sigurisht, as i Shtëpisë së Bardhë.
“Zëdhënësi” i Ambasadës thjesht nuk ekziston si i tillë. Rasti më flagrant kur qeveria humbi toruan dhe u zhyt në gënjeshtra ishte ai i letrës që Franz Josef Jung, një deputet i CDUsë në Bundestag, i dërgoi kryetarit Basha. Letra duket se më herët arriti te njerëzit e qeverisë dhe sidomos te njerëzit e saj të propagandës sesa te z. Basha. Franz Jozef Jung shkruante se protesta duhet të ndalet, bojkoti nuk të çon asgjëkund, ndonëse falsifikime të zgjedhjeve mund të kishte në masë shumë të madhe. Së pari, propaganda e qeverisë u fokusua vetëm te kërkesa për të mbyllur çadrën, çadrën e makthit të Kryeministrit, dhe asfare te mundësia e madhe e manipulimit të zgjedhjeve. Së dyti, dhe kjo është shumë më e rëndë, u gënjye trashë për vetë Franz Josef Jung, u tha se ai është zëvendëskryetar i CDUsë dhe flet në emër të CDU-së.
Z. Jung ka qenë zëvendëskryetar i CDU-së vetëm për landin e Hessenit, para vitit 2014, dhe nuk ka qenë kurrë zëvendëskryetar i CDU-së për Gjermaninë. Ai është një figurë politike e mesme në Gjemani, me pak ose aspak ndikim në CDU, sidomos sot. Z. Jung nuk është fare ndër 15 zyrtarët e lartë që drejtojnë CDU-në. Ai është drejtues i zyrës së CDU-së për kishat dhe bashkësitë fetare dhe nuk ka asnjë lidhje me marrëdhëniet e CDU-së me partitë e tjera popullore apo me vendet e tjera. Për një informacion të shkurtër për publikun, pesë zyrtarët drejtues të CDU-së janë Angela Merkel, dr. Peter Tauber, Volker Bouffier, Julia Kloeckner, Armin Laschet, Ursula von der Leyen.
Nuk ka kuptim të përmendim për arsye vendi listën e drejtuesve të tjerë të lartë, ku nuk është Franz Josef Jung. Veç këtij mashtrimi për funksionin e z. Jung, qeveria mashtroi edhe duke thënë se ai foli në emër të CDUsë. Deklarata e fundit në të cilën CDU ka përmendur Shqipërinë është e 7 shtatorit të vitit 2015, dhe që nga ajo kohë CDU nuk ka një deklaratë për Shqipërinë. Pra, gjithë dallga e ngritur nga propaganda e qeverisë është jo dëshmi e izolimit të PD-së, por dëshmi e makthit të Kryeministrit.