Ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Evis Kushi ka reaguar disa minuta më parë rreth publikimit të tezë së provimit të Letërsisë dhe Gjuhës në rrjetet sociale.
Maturantët po zhvillojnë ditën e sotme provimin për Gjuhën Shqipe dhe Letërsinë.
Provimi po zhvillohet në korridoret e shkollave apo në palestra dhe i gjithë testimi do monitorohet me kamera për të eliminuar kopjimet apo dhe përdorimin e telefonave gjatë testit.
“Garantojmë që nuk ka asnjë element që të dyshojmë që teza të zgjidhura jashtë kanë hyrë brenda dhe kanë favorizuar një apo dy maturantë, për këtë ne japim garanci. Nuk na vjen mirë që del testi. Dyshimi ynë është që ka njerëz që janë të investuar posaçërisht për këtë qëllim sepse janë gjithnjë të njëjtët që nxjerrin testin dhe nuk bashkëpunojmë me ne për të identifikuar personat që kanë shkelur rregulloren”, tha Kushi.
Kujtojmë se një ditë më parë, Kushi ka deklaruar po të njëjtën gjë për provimin e Anglishtes.
“Detaj që nuk e cenon procesin. Është e parapërgatitur, bëhet për të vënë në dyshim procesin. Me sa duket ka njerëz që angazhohen për një gjë të tillë, është e njëjta dorë që i publikon”, tha Kushi ditën e djeshme për publikimin e tezës së Anglishtes.