”Pushteti nuk merret në tavolinë”, kështu deklaroi sot ministri i Financave Arben Ahmetaj, duke i dhënë një mesazh të qartë kryedemokratit Lulzim Basha dhe organizatorëve të protestës së opozitës, teksa vetë firmoste peticionin për Vettingun.
”Pushteti nuk merret në tavolinë. As në dorë të 2-3 organizatorëve të çadrës, por merret me votën e qytetarëve. Nuk është në dorë të dy-tre qytetarëve që e ndjejnë humbjen.”, theksoi Ahmetaj.
Ai njëkohësisht komentoi zgjedhjet, pas këmbënguljes së opozitës për të mos u futur në ato të 2017-ës, pa një qeveri teknike. Ahmetaj komentoi edhe ish-kryeministrin Sali Berisha, duke thënë se ka djegur, vjedhur dhe vrarë Shqipërinë.
”Besoj se zgjedhjet janë proces demokratik në Shqipëri megjithë mungesat e standardeve diku më shumë, diku më pak. Zgjedhjet e 2013 dhe 2015 kanë qenë më të mirat, zgjedhjet e 2017 do jenë akoma më të mirat. Ne bëmë zgjedhjet kur ishte një individ që e ka djegur Shqipërinë, e ka vjedhur Shqipërinë, në 21 janar e vrau.”, përfundoi Ahmetaj.
Ministri i Financave Arben Ahmetaj ka zgjedhur këtë ditë të shtune për të firmosur peticionin për Vettingun. Pas kryeministrit Rama, ministrave Tahiri e shumë deputetëve të tjerë, sot Ahmetaj ka menduar të japë kontributin e tij në çadrat ngritur nga socialistët.(V.G/SHUPLAKA)