Kriza nuk ka përfunduar akoma në Maqedoni. Edhe pse VMRO e BDI janë fitues matematikë, rezultati i tyre është shumë i ngushtë.
Votat e tyre e krijojnë qeverinë, në kufirin e fundit prej 61 mandatesh, por për t’u legjitimuar si qeveri e qëndrueshme do iu duhen dhe tre mandatet e Aleancës për Shqiptarët, aty ku Ziadin Sela është shprehur se do të jetë patjetër pjesë e pushtetit.
Por ndërkohë BESA ka përgatitur një ankimim dhe pretendon të marrë dhe një mandat tjetër në Kumanovë, pra për të shkuar në 6 mandate.
Ndërkohë, edhe me LSDM-ja kërkon të marrë edhe një mandate duke i’a marrë atë VMRO-së. Dhe nëse ndodh kjo, kemi një barazim mandatesh mes dy partive kryesore maqedonase.
Ndërsa në kampin shqiptar, dy mandatet që Menduh Thaçi ia kalon BESËS, sipas premtimit që ka dhënë, bëjnë që gjithçka më pas të mbetet në dorë të Aleancës për Shqiptarët, ku me tre mandatet e saj ndihmon në formimin e një qeverie që i jep fund pushtetit Gruevski – Ahmeti.
Pra, gjithçka varet nga dy ankimime që mund të sjellin dy mandate shtesë, një për LSDM-në dhe një për BESËN. Më pas, fjalën e ka Aleanca për Shqiptarët. Është e çuditshme sesi shqiptarët nuk kanë ditur të vlerësojnë mbështetjen nga popullsia shqiptare në Maqedoni për të rritur rolin e tyre në qeverisjen e vendit.