Të të kthejnë në kufi kur ti je në gabim është gjëja më normale, por kur të kthejnë sepse zyrat e pasaportave janë në gabim ajo është çështje tjetër.
Kjo i ka ndodhur një qytetari të quajtur Gëzim Qordja, i cili tregon në emisionin “STOP” sesi u nis për në Greqi, por në kufi e kthyen me një letër shoqëruese ku shkruhej: “mospranim hyrjeje në kufi”.
I mërzitur për shkak të shpenzimeve të çuara dëm për udhëtimin, zotëria në fjalë u interesua të dinte se ku qëndronte problem.
Po atje në kufi, zoti qordja zbuloi se në pasaportën e tij nuk korespondonin numrat e faqeve.
Kështu ai iku edhe njëherë në zyrën, ku kishte tërhequr pasaportën që në fillim. Por atje i përgjigjen, se dokumenti nuk kishte asnjë problem, madje problemi qëndronte tek zotëria.
“Jam Gëzim Qordja nga Tirana. Doja të shkoja në Greqi dhe në doganën shqiptare kalove pa probleme. Hyra në doganën greke, atje më doli problemi me pasaportën me numrat e faqeve. Nga numri “10” ishte numri “9”, ndërsa në faqen tjetër nga “8” pastaj “11”. Kështu që u detyrova dhe u ktheva sërish. Shkova tek Drejtoria e Policisë, që tërhoqa pasaportën. Ata e morën pasaportën dhe më thanë që e ke në rregull. Se nuk je në rregull ti, nuk kemi çfarë të bëjmë ne, më thanë.”, tregon Gëzimi.
Më pas, i pyetur nëse ka ndonjë precedent penal ai përgjigjet se jo.
“Nuk kam pasur asnjëherë asnjë problem as me policinë. Shkova në Ministrinë e Brendshme dhe ato më thanë që e ke pasaportën në rregull. Prandaj unë tani iu drejtova “STOP” – it, që ta shikoni pasaportën time.”, ishte përgjigja e tij.
Megjithatë, pas këmbënguljes së të birit dhe të emisionit në fjalë, Gëzimi u bë me një pasaportë të re.
Pasaporta u bë pa pagesë nga firma prodhuese e pasaportave “Aleat”. Por kjo është më e pakta, duke marrë parasysh dëmet e shkaktuara për shkak të kostove të udhëtimit, apo edhe cënimit të integritetit të tij moral nga ana e zyrës në fjalë. (D.D/Shuplaka)