Nga foltorja e Kuvendit, Rudina Hajdari ka kritikuar si qeverinë Rama, por edhe sjelljen e opozitës jashtëparlamentare të drejtuar nga Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi, duke theksuar se nuk u intereson integrimi. Në rolin e kryeopozitares së re, Hajdari dha se Basha proteston poshtë zyrës së Ramës, pikërisht atë ditë kur ky i fundit e ka pushim.
“A thua se opozitës jashtëparlametare i intereson integrimi. Opozita jashtëparlametare që zgjedh të protestojë në ditë pushimi, poshtë godinës së kryeministrisë. Protestojnë kundër kryeministrit në ditën që ai e ka pushim”, u shpreh Hajdari.
Më herët teksa ishte duke folur për Këshillin Kombëtar për Integrimin Europian, Rudina Hajdari e cilësoi si jo të duhurën punën e bërë deri më tani nga ky institucion, si edhe kërkoi që kryeministri Rama të jetë prezent në Kuvend.
“Në sallë mungon sërish kryeministri që duhet të jetë prezent për të shënuar këtë ditë duke na thënë diçka përsa i përket raportit. Kam ardhur për të thënë disa të vërteta, kritika që janë me vend dhe populli duhet ti dëgjojë. Ne kemi vetëm një njeri që u tregon atyre se është më i miri i të mirëve dhe se ai nuk ka.
Ka 6 vite që me fjalë shumë e vepra pak po bind ata që kanë vesh të dëgjojnë se vetëm ky po ndërton një vend ku mbizotëron ligji dhe shteti, ndërkohë që merr cdo vendim brenda e jashtë parlamentit dhe vendit.
Ky njeri që bën ligje në kurrizin tonë, të së mirës së askujt, varfëron të varfërit dhe pasuron të pasurit, sillet në Evropë me reforma të paimplementuara dhe bën tangon e Serbisë ndihet më i frikësuar se kurrë nga partia e tij. Duhet të dijë dy gjëra, që qeveria është në regres dhe jo progres dhe integrimi nuk mund të vijë dot kurrë nga të paintegruarit, asnjë nga liderat tanë nuk e bind BE se do bëjnë ndryshime të prekshme me vullnetin e tyre”- tha ajo.
(E.K/faxweb.al)