Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, së bashku me Kryeministrin Rama inspektuan sot punimet në kantierin e spitalit të Kardiokirurgjisë dhe Kirurgjisë Vaskulare në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
“Këtu jemi në spitalin e kardiologjisë, kirurgjisë dhe kirurgjisë vaskulare. Është një nga kantieret në fakt brenda QSUT-së sepse nuk është i vetmi. Është një godinë e organizuar në 4 kate. Në katin e parë kemi kryesisht shërbime, të cilat ofrohen për studentët dhe për stafet pedagogjike për ngritjen e kapaciteteve të tyre, si dhe logjistika teknike. Ndërkohë që kati i parë ka të bëjë me shërbimin e kirurgjisë vaskulare. Në katin e tretë kemi bllokun operator me shtim sipërfaqesh, nga 4 salla operatore janë 5 salla të cilat tashmë krijojnë kushte më optimale. Në katin e tretë kemi edhe shërbimin intensiv apo atë që quhet reanimacion për të gjithë situatat që kanë vështirësi në trajtim”, tha ministrja Koçiu.
Sipas ministres, është një sipërfaqe ndërtimi 4000 metra katror, me një sipërfaqe të shtuar 500 metra katror. “Janë me një kapacitet prej 80 shtretërish, 32 në secilin nga katet e shërbimeve. Punimet pritet të mbarojnë brenda muajit qershor dhe nuk bëhet fjalë vetëm për rikonstruksionin, por edhe me mobilim dhe pajisje të teknologjisë së lartë, të cilat do të vijojnë t’i ndihmojnë doktorët të bëjnë mrekullitë e tyre”, pohoi Koçiu.
“Aktualisht janë duke u zhvilluar punimet dhe në spitalin psikiatrik dhe me buxhetin e vitit 2025 do të fillojmë investimin edhe në spitalin e djegie plastikës, por ky është një investim i rëndësishëm, duke e konsideruar që të dy investimet që ofrojmë këtu janë shërbime të nivelit kombëtar dhe marrin shërbimin kryesor, jo vetëm pacientët e qytetit të Tiranës, por edhe pacientë që vijnë nga rrethet”, tha ajo.
Ndër të tjera ministrja Koçiu tha se me përfundimin e spitalit psikiatrik këtë vit, me fillimin e punimeve tek spitali i djegie plastikës, dhe me përfundimin e Spitalit Pediatrik përmbyllet i gjithë cikli i rehabilitimeve dhe rikonstruksionit të infrastrukturës në QSUT.