Në ndryshim nga kryeministri Rama që sot vizitoi Finiqin për t’u dorëzuar lejet e legalizimeve, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka qenë së fundmi në Farkë ku ka vlerësuar kontributin e Komunitetit Mysliman për mbjelljen e rreth 100 pemëve të reja.
Në shoqërinë e kreut të Myftinisë së Tiranes, Ylli Gurra, Veliaj mbolli në mënyrë simbolike nga një pemë, si simbol i jetës dhe i shpresës.
“Jam shumë i lumtur që bashkë me kolegët e Bashkisë, të cilët këtu kanë mbjellë 3.000 pemë sipas një programi, çdo fundjavë, për aq sa na lejon stina e mbjelljeve, na janë bashkuar edhe miqtë tanë nga Komuniteti Mysliman Shqiptar. Dy mundësi kemi; o të mbjellim paqe, pemë, dashuri dhe shpresë, ose të mbjellim sherr e grindje mes njëri-tjetrit. Unë besoj se qoftë edhe me simbolikën e 100 pemëve që Komuniteti Mysliman na jep sot, vjen edhe një mesazh fantastik në kontekstin e gjërave që po ndodhin. Më mirë me mbjellë një pemë, duke krijuar një vend pushimi dhe paqeje për komunitetin e Farkës, se sa me mbjellë sherr e shamatë, të cilat nuk sjellin asnjë dobi për vendin tonë”, u shpreh Veliaj.
Ai siguroi banorët se gjatë këtij viti pjesa më e madhe e investimeve të Bashkisë së Tiranës do të fokusohen në zonën e Kasharit, e cila deri dje konsiderohej një zonë e paurbanizuar dhe e lënë në harresë, duke mos njohur asnjë investim të rëndësishëm.
(XH.A/SHUPLAKA)