Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, shfaqen dy ditët e fundit në dy artikuj të ndryshëm promocionalë, në dy media të njohura ndërkombëtare.
Ditën e djeshme, në një artikull në ‘Le Figaro’-në franceze, në një artikull të titulluar Tirana, qyteti i konceptuar nga Mussolini, hyn në shekullin e XXI, paraqitej i gjithë transformimi i kryeqytetit shqiptar nën drejtimin e Erion Veliajt.
Mënyra e ‘Le Figaro’ për të sjellë artikullin tek lexuesin francez është një përshkrim xhenuin i një situate pa të shkuar të kryeqytetit shqiptar.
Në artikull paraqitet kryebashkiaku Veliaj dhe të gjitha transformimet që ai ka kryer në pamjen urbane, pa u interesuar për procesin e këtyre transformimeve.
Ndërsa sot në mëngjes, prestigjozja ‘Forbes’ nxjerr një artikull me titull Shqipëria është një vend i pazakontë me një udhëheqje të pazakontë. Tani do t’i bashkohet Evropës, me foto të kryeministrit Rama, i shkruar nga gazetarja Shellie Karabell.
Në këtë shkrim tepër joformal, kryeministri Rama shfaq pasionet e tij në politikë dhe jashtë saj.
Rama i tregon gazetares historikun e rrugëtimit të Shqipërisë drejt integrimit evropian, dhe pesë kërkesat për t’u përmbushur që kërkohen nga Unioni.
Më pas kryeministri tregon për suksesin e Reformës në Drejtësi, prej nga ku procesi i Vettingut ka arritur të largojë deri tani, siç shprehet Rama, 17 gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar.
Në vijim të kësaj ai i thotë gazetares në një formë të çudishme të përkthyer në anglisht, fjalën e urtë shqipe: “Më mirë djepi bosh sesa me shejtanin brenda.”
Më pas Rama ka shpalosur mundësitë e turizmit dhe agroturizmit në Shqipëri duke treguar disa prej vendeve e restoranteve më të veçanta që gjenden në vendin tonë si dhe mbështetjen që qeveria po i jep të gjitha formave të turizmit.
Sigurisht përgjatë shkrimit kryeministri Rama nuk harron të theksojë edhe pasardhësin politik të projektit të tij, pikërisht kryetarin aktual të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Në fund ai e mbyll me një tjetër pasion që dëshiron ta ushtrojë pasi të largohet nga politika, atë të gatimit.
Vihet re se të dy artikujt reklamë në mediat ndërkombëtare, Veliaj tek ‘Le Figaro’ dhe Rama tek ‘Forbes’ kanë dalë pikërisht në ditën kur Komisioni Evropian do të jepte edhe rekomandimin pozitiv për çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE.
Sigurisht, pak dihet nëse kjo garë mes të parëve të vendit në mediat ndërkombëtare, të ketë ndikuar në vendimin pozitiv të KE që u lajmërua pasditen e sotme nga Federica Mogherini.
(E.L./Faxweb)