Mëngjesit e sotëm kryeministri Edi Rama ka bërë një premtim për të gjithë shqiptarët. Kryeministri është shprehur se deri në qershor do të bëhet hapja e kantierit për ndërtimin e aeroportit kombëtar të Vlorës. “Kemi kërkesën zyrtare për investimin e madh të aeroportit të ri kombëtar të Vlorës. Deri në qershor hapja e kantierit,”, shprehet Edi Rama në Facebook.
Por sa premtime janë bërë deri më tani për ndërtime aeroportesh në vend dhe ku kanë shkuar këto premtime?!
Në 1 prill të vitit 2016 qeveria Rama premtoi se shumë shpejt do të vihej në funksion aeroporti i Kukësit. Ministri i asaj kohe Haxhinasto theksoi se aeroporti i Rinasit nuk do të ishte i vetmi në vend. Sipas tij hapja e Aeroportit të Kukësit do të krijonte rreth 200 vende të reja pune dhe do të ishte funksional brenda vitit 2016. Sipas Haxhinasto aeroportit të Rinasit iu hoq ekskluziviteti në atë kohë pasi shumë shpejt në vend do të ishin në funksion të shqiptarëve dhe dy aeroporte të tjera.
Gjatë pranverës së 2016 u tha nga qeveria Rama se kompania koncesionare gjermane, që menaxhon aeroportin “Nënë Tereza” prej 11 vitesh, ra dakord me qeverinë shqiptare të heqë dorë nga ekskluziviteti i fluturimeve ajrore në Rinas, duke mundësuar që udhëtimet ajrore të kryheshin edhe nga aeroporti i Kukësit. Kjo marrëveshje u tha se do shoqërohet me hapjen e tregut dhe uljen e çmimit të biletave. Po kështu premtimi i ndërtimit të aeroportit në jug të vendit është bërë që në 2016, se në vend do të ndërtohej një aeroport ose në Vlorë ose në Sarandë. Duhet të themi që Rama për këtë është shprehur: “Ambicia është që brenda katër vjeçarit të kemi futurimin e parë por sigurisht kjo është vetëm për momentin një ambicie e bazuar në dëshirën. Jam shumë optimist sidoqoftë”.
Edhe pse kanë kaluar më shumë se një vit e gjysmë nga premtimet ende nuk është bërë realitet asnjë prej tyre. Kryeministri Rama përsëri sot ka bërë një premtim të ri, që edhe ky nuk dihet nëse do të finalizohet apo jo.
Shqetësim kryesor i shqiptarëve janë edhe biletat e shtrenjta të fluturimit. Është bërë trend tashmë, sidomos gjatë 2 viteve të fundit që pasagjerët shqiptarë të zgjedhin aeroportet e rajonit, nga Prishtina, Shkupi dhe Selaniku për të udhëtuar drejt shteteve evropiane dhe jo vetëm, pikërisht për shkak të kostove më të ulta. A do na ofrohet sërish një lugë bosh për t’u ngopur edhe këtë vakt?! Presim sërish dhe disa muaj të tjerë….(J.V/Faxweb)