Kryeministri e njëherazi kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, vlerësoi sërish gjatë fjalës së tij në Asamblenë e PS, arritjet e deritanishme të qeverisë, të koalicionit qeveritar.
“Detyrat e realizuara nga ne janë mbresëlënëse por ka ende punëshifrat e konsumit flasin më qartë për rritjen e fuqisë blerëse, jemi krenarë për reformat, falë rezultatit të tyre jemi në gjendje të mbyllim vitin, në vitin 2013 ne nisëm qeverisjen në buzë të një humnere financiare.”, u shpreh Rama.
Kryeministri e njëherazi kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, vlerësoi sërish gjatë fjalës së tij në Asamblenë e PS, arritjet e deritanishme të qeverisë, të koalicionit qeveritar: “Natyrisht që qeveritë vlerësohen për atë që bëjnë, por ekonomistët vlerësojnë edhe atë që qeveritë arrijnë të shmangin, nëse nuk do kishim ndërhyrë fuqimisht në nëntorin e vitit 2013 nuk do të mund të paguanim rrogat dhe pensionet.
“Ne nuk harrojmë dhe faktikisht shlyejmë detyrimet e prapambetura të të shkuarës duke vendosur një standard të ri. Nëse ky program nuk do të ishte në rrugën e realizimit, do të kishim pësuar të njëjtat dëme. Ne s’bëmë sikur nuk pamë. Është hera e parë që qeveria vë në dispozicion këtë vlerë shpërblimi. Mirënjohje humanitare dhe financiare për pensionistët. Ne nuk themi që Shqipëria është një fuqi ekonomike që konkurron, por nuk mund të mos jemi krenarë në fund të ditës që reformat shndërrohen në të ardhura për njerëzit në nevojë.”, deklaroi Rama referuar ndër të tjera shpërblimeve të fundvitit.
Referuar zgjedhjeve të ardhshme, kryetari i PS-së foli bindshëm për një fitore që në tri vitet e ardhshme do të karakterizohet nga një plan financiar që do të rrisë standardin në vend: “Ne kemi një plan për të shkuar jo përtej 3.5% por 7% në tre vitet e ardhshme përmes investimeve. Është një plan jo në letër por i diskutuar me ndërkombëtarët. Është i mundur sepse Shqipëria nuk ka një borxh që e kërcënon.
Kryeministri u ndal edhe në reformat në Arsim dhe Shëndetësi, të cilat gjatë këtyre viteve janë ndjekur nga kritika, pakënaqësi dhe protesta. Ai u shpreh se pavarësisht se Arsimi dhe Shëndetësia nuk janë të gjeneratës tjetër, gëzojnë tjetër standard nga qeverisja e kaluar.
“Vetëm ne mund ta bëjmë Shqipërinë shtet dhe mund ta fusim në një fazë të re. Morëm një vend ku në Gushtin e 2013-ës kronikë lajmesh ishin njerëzit që vareshin në kangjellat e spitaleve se nuk mund të blinin dot ilaçe. Sot spitalet a janë të gjeneratës tjetër? Jo, nuk është. Por ne kemi arsye t’i shohim njerëzit në sy e të themi “Ja çfarë kemi bërë”. Në duart tona, procesi i reformave është i sigurtë.”
Ndryshim transformues sollëm edhe në sektorin e arsimit. Arsimi ynë nuk është në kushtet e gjeneratës tjetër, por mjaftohet të shikohen rezultatet e një program vlerësimi ndërkombëtar për të kuptuar se çfarë po bëjmë në arsim. Nuk mbyllet më një shkollë për të dalë e për të pritur kryeministrin, nuk cënohet më një mësues për shkak të bindjeve politike. Të rinjtë e këtij vendi kanë shpëtuar nga 600 tekste që ishin prodhim i një makinerie korrupsioni. Janë vetëm tre tekste alternative, të standardeve më të larta europiane.”, u shpreh kryeministri.
“Le të vijmë tek papunësia dhe varfëria që fliten nga Saliu dhe tellallët që lexojnë Saliun. Nuk ka më kthim mbrapa. Statistikat ndërkombëtare flasin për rritjen e punësimit dhe rënie të varfërisë. Kjo nuk do të thotë që është zhdukur papunësia dhe varfëria, ne jemi të vetëdijshëm për këtë. A keni dëgjuar një ide nga ata që mblidhen të enjten në Kuvend, përveçse fyerje, akuza, sharje? Mjerë ata që ndjekin parlamentin dhe mbajnë fëmijët afër. Është pornografia më ekstreme. Një kriminalizim i përditshëm shoqëror, ky është problem me pasajo katastrofike. Kjo e keqe ka një emër “Sali Berisha me çetën e tij”, fuqi që nuk le të dallohet e vërteta nga gënjeshtra. Por ne nuk i zgjedhim kundërshtarët. E ka thënë populli “Po fjete me qenin, zë morra, zë pleshta” më falni.”, vijoi më tej Edi Rama.
Akuzat ndaj Policisë së Shtetit, ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, akuzat për kriminalizimin e qeverisë ishin një tjetër çështje ku Rama u ndal gjatë fjalës së tij. Ai vuri theksin në akuzat e opozitës për mosarrestimin e Klement Balilit.
“Në 2013-ën nuk kishim Polici Shteti, por efektivë që shtynin makinat rrugës se nuk kishin karburant. Kujt I tregojnë këta “çunat e krimit”? S’jemi policia e gjeneratës tjetër, por në zotim e sipër për të qenë. Do kemi një Polici Shteti, ekselenca e këtij vendi, shembull për rajonin dhe BE-në.
Është shumë e ulët që të akuzosh ministrin e Brendshëm dhe Policinë e Shtetit pse nuk arrestohet dot një person i shumëkërkuar. Pse qenkemi me të ne? Pse dilet në Kuvend dhe thuhet kjo? Krimin dhe bosët e krimit i gjetëm këtu mes tyre. Klement Balili është në kërkim si shumë të tjerë në Amerikë, Itali dhe gjithë botën. Ndryshimi është i madh se deri dje ishte duke ngrënë mish qingji dhe duke dëgjuar çiftelinë me shefat e policisë. Kjo Shqipëri ishte, kur një zyrtar i lartë ishte i dënuar me pranga në dorë në “arrest shtëpie” dhe vazhdonte të ishte në postin e drejtorit.
Partitë dhe qeveritë nuk dallohen nga fakti se sa engjëllorë janë, por nga fakti se sa punojnë.
Këtu ishim… “kanabisi”, “kanabisi”. Kanabisi, banka e parasë së zezë e politikës. Kemi një luftë të pafituar me kanabisin. Por farën e saj nuk e solli Saimir Tahiri, Lazarati ishte. Ishte jo vetëm një Republikë autonome por me tentakula në të gjithë Shqipërinë.
Kryetari i PS-së, Edi Rama, duke iu referuar zgjedhjeve të 2017-ës, theksoi se qëllimi i Partisë Socialiste është të vijojë koalicionin me LSI-në. Duke u ndalur në këtë çështje, ai i propozoi haptazi Ilir Metës vazhdimin e koalicionit edhe në zgjedhjet e ardhshme.
“Ne do të fitojmë në zgjedhjet e ardhshme më shumë se ç’fituam në të kaluarën. Qëllimi ynë strategjik është të jemi bashkë në koalicion me LSI. Të madhit i bie të thotë çfarëdo, të voglit i takon të mendohet.
Dëgjoni miqtë e mi: Kjo është strategjike, nuk ka lidhje me sjelljet e caktuara. Ne duhet ta shohim këtë në planin strategjik. Çfarë ka fituar Shqipëria nga ky koalicion. Ta lëmë se ç’do ishte bërë më shumë. Nuk janë njerëzit që korruptojnë sistemet, janë sistemet që korruptojnë njerëz.”
Më tej, kryetari i PS-së bëri me dije edhe se është “pro” zgjerimit të koalicionit që e sheh si mundësi për realizmin e një sërë reformash. Ai tha se në historinë e Shqipërisë, do të mbahet mend gjatë qeverisja e këtij koalicioni:
“Theksoj se patjetër që koalicionin do ta zgjerojmë sepse duam të realizojmë një varg reformash. Për qendrën e majtë, zgjerimi me aleatë të tjerë është një element i domosdoshëm për aq kohë sa garanton reformat. Ajo që unë di është që kjo parti, kjo periudhë qeverisëse do të kujtohet gjatë. Ne do të arrijmë të vendosim themele. Në mbyllje të fjalimit më të gjatë të këtij viti falenderoj ministrat, deputetët, përfaqësuesit tanë në qeverisjen vendore.” (XH.A/SHUPLAKA)