Gazetari Blendi Fevziu ka reaguar për lëvizjen e fundit brenda kabinetit. “Fitore” të Ramës, që tregoi forcë dhe Meta që është tërhequr përpara forcës së Ramës, kështu e komenton Fevziu.
Sipas tij kjo shuan edhe dilemën e me kë do të dalë LSI në zgjedhjet e qershorit. Në një opinion të publikuar te opinion.al, Fevziu shkruan se me shkarkimin e Ylli Manjanit si Ministër i drejtësisë, Rama bëri një veprim që vlen shumë simbolikisht. “Ai ka treguar forcë dhe Meta është tërhequr përpara forcës së Ramës. Dy partitë e së majtës kanë arritur sërish një marrëveshje. Një marrëveshje që i fashit përkohësisht tensionet, por nuk jep zgjidhje problemit themelor mes PS dhe LSI. Atij nëse këto dy forca mund të qeverisin bashkë apo janë të destinuara ta kthejnë koalicionin qeveritar në një sherrnajë të përditshme”, shkruan Fevziu.
Sipas tij dukej sikur koalicioni po futej në një krizë të re, të përsëritur, por gjithçka ka mbetur aty. “Nuk dihet se çfarë ka ndodhur në prapaskenë, por Rama e ka rivendosur autoritetin. Ai ka shkarkuar Manjanin dhe shkarkimi më shumë vlen simbolikisht. Ai ka treguar forcë dhe Meta është tërhequr përpara forcës së Ramës. Por pa asnjë dyshim që kjo marrëveshje e përkohshme, nuk zgjidh thelbin e konfliktit mes tyre, filozofitë e ndryshme që kanë në mënyrën se si qeveriset vendi”, shkruan ai.
Më tej, Fevziu shkruan se vendimi i sotëm i jep fund dilemës se me kë do dalë LSI në zgjedhje. “Një javë më parë Meta deklaroi se nuk do jetë në koalicion parazgjedhor me PD, ndërsa sot, me shkarkimin e Manjanit, indirekt rikonfirmoi renditjen në një koalicion me PS dhe PDIU. Të tjerat nuk kanë asnjë rëndësi për momentin…” përfundon Fevziu. (J.V/Shuplaka)