”Paketa McAllister duhet të zbatohet pikë për pikë nga të dy palët. Boll më me këtë teatër jo transparent”, ky është reagimi i sotëm i kreut të LSI-së Petrit Vasili.
”Nuk duhet humbur asnjë orë më shumë për zgjidhjen e menjëhershme të situatës aktuale politike.”, qartëson Vasili.
”Lëvizja Socialiste për Integrim i ka qëndruar dhe i qëndron pikë për pikë kompromisit të z. McAllister dhe të mbështetur nga z. Fleckenstein dhe nuk ka nevojë të diskutohet më.
Paketa duhet të zbatohet pikë për pikë nga të dy palët. Boll më me këtë teatër jo transparent.”, thotë Vasili, duke i hedhur përgjegjësinë kryeministrit Edi Rama. Sipas informacioneve paraprake dhe versionit të demokratëve, refuzimi i paketës është bërë nga kryeministri.
”Përgjegjësitë për bllokimin e zgjidhjes janë të atyre që nuk e mbështetën dhe nuk e mbështesin edhe tani propozimin e z. McAllister. Pata paralajmëruar publikisht se vizita e Zv.Ndihmës Sekretarit të Shtetit, z. Hoyt Brian Yee ishte një shans për kompromisin. Duhet t’i jepet fund një orë e më parë të gjitha lojërave politike, që trondisin stabilitetin dhe sigurinë e vendit dhe të qytetarëve.”, shton Vasili.
Njësoj si presidenti i zgjedhur Ilir Meta, edhe Vasili deklaron se LSI-ja është gati të kthejë presidentin e Republikës në shërbim të zgjidhjes.
”Lëvizja Socialiste për Integrim është e gatshme të kthejë edhe postin e Presidentit të Republikës në shërbim të zgjidhjes së shpejtë të krizës.”, përfundon kreu i LSI-së. (V.G/SHUPLAKA)