Ndarja nga jeta e presidentit të Fax News Kasem Hysenbelliu, ka prekur të gjithë gazetarët, bashkëpunëtorët dhe njerëzit që e njihnin apo e kishin takuar atë. Gazetari Roland Qafoku ka rrëfyer disa momente nga puna e tij e Hysenbelliun ndërsa thekson se ngriti televizionin Fax News në një kohë të vështirë dhe ia doli ta fuste në treg si një media të lirë ku çdo person mund të thoshte mendimin në çdo moment.
“Ky është një lajm i trishtë për të gjithë mediat. Ka lënë gjurmë jo vetëm në median shqiptare po edhe kontributor në atë që quhet Shqipëria politike e tranzicionit. Kjo është e rrallë për një President të një medie që ta njohin edhe gazetarët me të cilët nuk ka punuar. Mendoj që Kasemi është nga ata njerëz, drejtues mediash që ka një bilanc dhe është sfida e madhe që i vuri vetes.
Ai tregoi se kishte sukses në menaxhimin e News24 dhe disa treguan skepticizëm sepse mendonin që aty ishte thjesht drejtor por sfida ishte ngritja e televizionit Fax News dhe futja e tij në treg. Nuk ka ndodhur në Shqipëri që të jetë drejtues i një media, të bëhet pronar i një media tjetër dhe ta fusë në treg.
Kur u largua Kasemi nga News24, disa menduan se kaq ishte karriera e Kasemit, por themeloi televizion në një kohë kur mendohej se nuk ka vend dhe Fax News gjeti vendin e saj.
Çelësi i suksesit të Fax News është media e lirë që çdokush që kishte mendim dhe donte ta thoshte, e thoshte tek Fax News. Askush nuk mund të thojë që Fax News është i PD, PS apo LSI. Të gjithë kanë folur aty dhe gazetarët që kanë pasur për të thënë diçka, e kanë thënë dhe ky ishte çelësi që ideoi e themeloi Kasemi. Është një ditë e trishtë pikërisht për vizionin dhe konceptin që kishte Kasemi për një media”, u shpreh Qafoku. (A.M/Faxweb.al)