Të ardhurat nga tatimet mbi pagat po sjellin pjesën më të madhe të rritjes vjetore te të ardhurave. Në janar të vitit 2024 të ardhurat buxhetore arritën ne 54,3 miliardë lekë me një rritje vjetore 4 miliardë lekë ose 8 për qind më shumë se janari i vitit të kaluar. Gati 66 % e rritjes erdhi nga taksat mbi pagën të tilla si sigurimet shoqërore, ato shëndetësore dhe tatimi mbi të ardhurat personale.
Të ardhurat nga sigurimet shoqërore arritën në 14,7 miliardë lekë në janar, me rritje vjetore 17,8% (+1.9 mld lekë). Efektet e rritjes se të ardhurave nga sigurimet mbarojnë në prill të këtij viti, pasi rritja e fundit e pagës minimale u aplikua në prill të vitit 2023, në nivelin 40 mijë lekë, nga 34 mijë lekë që ishte më parë.
Të ardhurat nga tatimet kryesore ishin me rritje gjithashtu. Të ardhurat nga TVSH-ja në janar arritën në 18,3 miliardë lek me një rritje 7.8 %, të ardhurat nga tatimi mbi fitimin patën rritjen më të fortë. Arkëtimet në këtë zë arritën në 2,8 miliardë lekë me rritje vjetore 19,3 për qind. Arkëtimet u rriten edhe në zërin e akcizave me 4.8 për qind në krahasim me vitin e kaluar.
Burimet nga Ministria e Financave pohojnë se edhe muaji shkurt ka ecuri të mirë te të ardhurave në krahasim me vitin e kaluar. Kjo e ka shtyrë qeverinë të aplikojë ndryshime në buxhetin e vitit 2024 që në muajin e dytë të vitit.
Në anën tjetër shpenzimet buxhetore ishin shumë të ulëta se të ardhurat. Gjatë janarit qeveria alokoi si shpenzime nga buxheti i shtetit 38,5 miliardë lekë duke bërë që balanca buxhetore të rezultojë më suficit rreth 15 miliardë lekë ne janar 2024. Shpenzimet buxhetore ishin 9,1 për qind më shumë se fakti i janarit 2023.
Vitet e fundit buxheti është karakterizuar nga rritja e të ardhurave që u nxit prej çmimeve të karta pas luftës në Ukrainë dhe nga rritja e pagave, prej të cilave janë arkëtuar më shumë tatime. Në krahun e shpenzimeve qeveria ka ndjekur një politikë më të moderuar duke përqendruar ato në dy muajt e fundit të vitit dhe kryesisht në dhjetor. Vitin e lakuar gati 25 për qind e totalit e buxhetit u alokua në dhjetor, teksa 38 për qind e fondit të investimeve kapitale u alokua në ketë muaj.
Rritja e të ardhurave e ka ndihmuar qeverinë të ulë borxhin publik me shume se projeksionet. Vitin e kaluar borxhi publik arriti 59,2% të PBB së pritshme, duke rënë me mbi 7 pikë për qind brenda vitit.
Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore kanë bërë thirrje qeverisë që të rrisë investimet në kapitalin human pasi vendi ndodhet në një krizë demografike, kur lindjet po bien, të rinjtë emigrojnë dhe forca e punë po shkon në plakje të shpejtë./ Revista “Monitor”