Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi i është përgjigjur presidentit Ilir Meta në lidhje me kërkesën që ky i fundit i ka dërguar për shortin e KED (Këshilli i Emërimeve në Drejtësi). Ruç ka deklaruar se shorti do të hidhet më 7 dhjetor.
DETAJE:
Në njoftimin e Kuvendit citohet se, në mbështetje të pikës 3 të nenit 149/d dhe pikës 11 të nenit 179 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nenit 284 të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, në datë 7 dhjetor 2017 ora 10:00, do të hidhet shorti për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Hedhja e shortit do të zhvillohet në Kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë.
Shorti është i hapur dhe zhvillohet në prani të:
-përfaqësuesve të dërguar nga Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Prokuroria e Përgjithshme dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë
-përfaqësuesve të grupeve parlamentare
-përfaqësuesve të përfaqësive të huaja diplomatike të akredituara në Republikën e Shqipërisë dhe organizatave partnere ndërkombëtare
-medias
Më herët presidenti Meta i dërgoi letër Kuvendit ku kërkonte se shorti për KED duhet të hidhej nga presidenca. Pasi, sipas ligjit, shorti duhet të hidhet në fillim nga presidenti. (J.V/Faxweb)