Kryeministri Edi Rami i është përgjigjur me ironi deklaratës së kreut të opozitës, Lulzim Bashës lidhur me vendimin e Këshillit të Europës për tërheqjen e vëzhguesve në procesin zgjedhor të 30 Qershorit.
Rama i drejtohet Bashës me fjalën “Sajo” ndërkohë që nuk jep asnjë përgjigje konkrete lidhur me këtë vendim, qoftë t’a përgënjeshtrojë apo ta argumentojë. Ndërkohë, ndër të tjera ai shprehet se mëzi pret se çfarë do të thotë Basha kur të dalë në pah gënjeshtra.
“Sajo Artist sajo, çdo ditë një sajesë, s’zhgënjen asnjë ditë o Njish?Po si mund t’u thuash shqiptarëve Këshilli i Europës mori vendim politik për t’u tërhequr nga zgjedhjet se janë të paligjshme??Tani mezi pres çfarë do thuash kur të dalë rrena në shesh?Apo rrena tjetër gati??”, shkruan Rama.
Basha tha sot se bota perëndimore dha sinjalin e parë, të qartë dhe të prerë, se 30 Qershori nuk është ditë zgjedhjesh në Shqipëri.
“Vendimi i Kongresit të Autoriteteve Rajonale e Lokale të Këshillit të Europës për të anulluar dërgimin e Delegacionit Vëzhgues për farsën elektorale që po tenton të zhvillojë Edi Rama, është fakt kuptimplotë se në 30 Qershor nuk ka zgjedhje në Shqipëri.
Për herë të parë nga rënia e komunizmit, Këshilli i Europës ka vendosur të mos dërgojë Delegacion Vëzhgues për zgjedhjet, pavarësisht ftesës që i ka bërë Qeveria shqiptare. Këtë vendim Këshilli i Europës e ka marrë jo sepse ia ka kërkuar opozita, por sepse 30 Qershori nuk është ligjërisht ditë zgjedhjesh në Shqipëri”, tha kreu i opozitës gjatë fjalës së tij (Lexo deklaraten e plote).
(F.GJ/FAXWEB.AL)