Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, në fjalën e tij gjatë Samitit të V të Gruas Shqiptare të Diasporës, vuri theksin te rëndësia e pjesëmarrjes së grave të diasporës në procesin zgjedhor të ardhshëm, duke e cilësuar votën e tyre si një moment historik për demokracinë shqiptare.
“Një lajm i mirë është që në zgjedhjet e pranverës së ardhshme, vota e anëtarëve të Diasporës do të garantohet nga vendi i tyre pritës, duke bërë të mundur një të drejtë kushtetuese, por dhe një kërkesë të vazhdueshme nga diaspora jonë. Vota e diasporës është një moment historik dhe një “borxh” që u kthehet shqiptarëve që jetojnë jashtë”- u shpreh ministri Hasani.Gjatë fjalimit të tij në Samitin e Gruas Shqiptare, ministri Hasani vuri theksin te krijimi i Regjistrit të Diasporës së Kualifikuar dhe zbatimi i programeve kombëtare dhe atyre të përbashkëta me institucione ndërkombëtare.
Ai shtoi: “Tërheqja e anëtarëve të kualifikuar të diasporës është një nga sfidat më të rëndësishme për Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe strukturat e saj. Me kënaqësi konstatoj se këtij regjistri i shtohet edhe ky rrjet i Gruas së Diasporës Shqiptare.”
Samiti i V i Gruas së Diasporës, organizuar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Agjencia Kombëtare e Diasporës dhe Dhoma e Biznesit të Diasporës, mblodhi për të pestin vit radhazi në Tiranë përfaqësuese të diasporës nga mbarë bota. Samiti u mbajt nën moton “Leading the Way to the European Union,” duke theksuar rolin udhëheqës të grave shqiptare në përparimin drejt integrimit në Bashkimin Europian.