Kryedemokrati Lulzim Basha, nisi ditën e sotme nga Durrësi, turin e takimeve nëpër Shqipëri. Tur të cilin ai e cilësoi si vijimësinë e betejës për të rrëzuar qeverinë e mbajtur në pushtet përmes manipulimit të zgjedhjeve.
Në fjalën e tij Basha foli me tone përbashkuese në lidhje me kritikët e brendshëm partiak të cilët kërkojnë dorëheqjen e tij. Basha thekson se PD është një familje e madhe, ku gjithkush ka mendimet, të mirat dhe të këqijat e veta, por të gjithë i bashkon vendosmëria për të vazhduar për t’i shërbyer vendit.
Basha: Të dashur miq! Ne jemi një shtëpi e madhe. Gjithkush ka mendimet, kontributin, investimet, sakrificën, të mirat, të metat dhe gabimet e tij apo të saj. Këtu pa diskutim, bëj pjesë edhe unë por një gjë na bashkon; vendosmëria për të vazhduar për t’i shërbyer këtij vendi dhe këtyre njerëzve. Një gjë është e qartë, që ju keni patur dhe keni përgjegjësinë dhe mundësinë për të vendosur kush ju përfaqëson dhe kush ju drejton. E keni patur në të kaluarën dhe do ta keni përsëri shumë shpejt por ndërsa ju them këtë, po ju them që nuk ka në shtëpinë tonë asnjë të tepërt. Mendimet, idetë konstruktive, kritikat konstruktive vetëm na ndihmojnë dhe ne duhet t’i mirëpresim.
Megjithatë, gjëja më e rëndësishme tani është të vazhdojmë betejën. Të vazhdojmë betejën, të cilën me 25 prill, Edi Rama, Rrajat Cyrbet, Ndraxhët, Doshët, Rakipët me shokë, menduan se e mbyllën.
Jo! Me 25 prill ata mbyllën vetëm një mundësi për ndryshimin që do të sillte vota plebishitare e shqiptarëve, të cilët duan një të ardhme më të mirë, por beteja do të vazhdojë. Shqiptarët do ta kenë një të ardhme më të mirë. Beteja jonë do të vazhdojë derisa kjo e ardhme më e mirë për shqiptarët, të bëhet realitet! Në çdo fushë, në çdo formë, në çdo mënyrë!
Ne jemi më të bashkuar dhe më të vendosur se kurrë! Ndërsa ju kapitenë të kësaj beteje, që përfaqësoni mijëra e mijëra të tjerë, që zgjuan shpresën, që shkundën nga plogështia një popull të tërë, mbajeni kokën lart siç e mbani sot, në çdo moment, deri në përfundimin me fitore të kësaj beteje!
Betejë që do ta bëjmë për të gjithë, për të rinjtë dhe për të rejat, për prindërit tanë, për gratë dhe për burrat e këtij vendi, për të moshuarit e këtij vendi, nga jugu në veri, nga lindja në perëndim, deri në rrëzimin e regjimit Rama-Doshi, deri në triumfin e Shqipërisë dhe të ardhmes së saj!
Dhe mos të harrojmë për asnjë çast fillimin e kësaj beteje, sakrificat tona! Dhe ju ftoj të mos harrojmë për asnjë çast, se ata që presin prej nesh nuk janë thjesht dhe vetëm demokratët, që dua t’i falënderoj nga zemra kudo ku ndodhen. Kam marrë me mijëra mesazhe prej tyre për të mos u dorëzuar, për të vazhduar betejën dhe ju them sot, nuk dorëzohemi, do ta vazhdojmë deri në fitore! Si dhe i falënderoj ata qindra apo mijëra të tjerë që nuk kam patur mundësinë t’iu përgjigjem deri më sot.
Por beteja nuk po bëhet, siç ju kam thënë dhe në fillim të fushatës, për Partinë Demokratike, as thjesht për partitë e tjera të koalicionit tonë. Beteja po bëhet për të ardhmen e Shqipërisë, ndaj nuk do të cedojmë asnjë milimetër, nuk do të humbasim asnjë sekondë, nuk do të lëmë asnjë mjet, asnjë forum dhe asnjë copëz energji dhe fuqi, pa përdorur, derisa ëndrra e shqiptarëve për ndryshim, ta bëjmë realitet, derisa Shqipëria të jetë e sigurt drejt të ardhmes më të mirë, për të cilën investoi fuqishëm me 25 prill, ëndërr të cilën kemi detyrimin ta bëjmë realitet, me gjithë forcën tonë të përbashkët. Ju falemnderit!