Sekuestrohen rreth 2 milion euro pasuri, të dyshuara të fituara nga aktivitet kriminal në qytetin e Durrësit.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës kanë goditur një rast të pastrimit të produkteve të veprës penale.
Mbi bazën e referimit të bërë nga Policia në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës është ekzekutuar vendimi penal i Gjykatës duke sekuestruar pasuritë e shtetasit T.S., 46 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë me 12 vite burg për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.
Janë sekuestruar:
- 25 000 m2 tokë arë;
- 10 100 m2 pemëtore;
- 9 njësi tregtare, ambiente të përshtatura për biznese me sipërfaqe totale 580 m2;
- 22 apartamente me sipërfaqe totale 1780 m2.
Pasuritë dyshohet se janë produkt i veprimtarisë kriminale, kryer nga shtetasi T.S.. Në total ato llogariten rreth 2 milion euro.