Sekuestrohen 3 mina të pajisura me telekomandë, ndërsa janë arrestuar dy poseduesit.
Të arrestuarit, sipas policisë së Tiranës janë Jurgen Muho 24 vjeç banues në Qesarak dhe Eraldo Kataroshi 19 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje, moskallzim krimi dhe arratisje nga burgu.
Në rrugën “Teodor Keko”, gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip “Volksëagen Polo”, i cili drejtohej nga Jurgen Muho, gjatë kontrollit është konstatuar një çantë brenda të cilës ndodheshin 3 minat e pajisura me telekomandë.
Policia njofton se 3 minat e sekuestruara ishin të pajisura me aparat të markës celular ‘Nokia’ me qëllim shpërthimin e tyre ne distancë dhe të pajisura me manjet.
Ndërkohë që është sekuestruar edhe makina e Jurgen Muhos, me të cilën po transportonte minat. Nga hetimet ka rezultuar se Jurgen Muho bashkëpunonte me Eraldo Kataroshin për veprimet.
Materialet ju referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur, për veprën penale ” Mbajtja pa leje e armëve, i bombave apo minave ose lëndëve plasëse në automjete apo në çdo mjet tjetër të motorizuar, në mjedise publike ose në mjedise të hapura për publikun, e kryer në bashkëpunim” parashikuar nga nenet 278/4 dhe 25 të Kodit Penal.
(E.K/SHUPLAKA)