Gjatë vizitës së tij zyrtare në Kosovë, Senatori amerikan John McCain ka rrëfyer një histori prekëse nga jeta e tij personale. I ftuar në Kuvendin e Kosovës, ai ka folur përpara deputetëve kosovarë për një ngjarje shenjuese të shumë viteve më parë.
Përpara tyre, ai ka rrëfyer një takim të rreth 24 viteve më parë me Nënë Terezën, e cila mësohet se i ishte lutur atij dhe bashkëshortes së tij që të merrnin me vete në kthimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe dy vajza nga zonat e varfëra ku ajo vepronte, ndryshe ato do të vdisnin. Vajzat ishin në gjendje të rëndë shëndetësore.
McCain rrëfeu se nga takimi në Bangladesh me Nënë Terezën mori me vete të dyja, ku njëra prej tyre u adoptua nga një çift në Amerikë, ndërsa tjetra u bë bija e tij dhe bashkëshortes së tij, që quhet Bridgett.
“E falënderoj Nënën Terezë që na bëri jetën tonë më të mirë dhe të bekuar”, është shprehur McCain.
(XH.A/SHUPLAKA)