Departamenti Amerikan i Shtetit u ka bërë thirrje Serbisë dhe Kosovës që të përmbahen nga retorika nxitëse, veprimet e pakoordinuara dhe aktet legjislative që bien ndesh me përpjekjet për normalizim,.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ditë më parë prezantoi pesë masa dhe shtatë kërkesa për Kosovën si parakushte për “kthim në dialog të mirëfilltë”. Ndër masat ai paralajmëroi shpalljen e Kosovës përmes ligjit “zonë të posaçme sociale”, rezistencë të institucioneve paralele e hapje të zyrave afër kufirit me Kosovën për t’u ofruar shërbime qytetarëve serbë të veriut.
I pyetur për t’i komentuar këto masa, DASH-i ka përsëritur qëndrimin pro dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, teksa ka kujtuar se Kosova është shtet i pavarur e sovran dhe të cilin dëshiron ta shohë në strukturat ndërkombëtare.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të përkrahin fuqishëm dialogun e lehtësuar nga BE-ja, në mes të Kosovës dhe Serbisë si rrugën për të arritur raporte paqësore dhe produktive mes dy shteteve. E ardhmja e të dyja shteteve është në institucionet evropiane; procesi i lehtësuar nga BE-ja është rruga e vetme përpara. U bëjmë thirrje sërish Serbisë e Kosovës të përmbahen nga retorika e mëtejme përshkallëzuese, veprimet e pakoordinuara apo aktet legjislative që bien ndesh me normalizimin e raporteve apo rrezikojnë stabilitetin dhe sigurinë”, thuhet në përgjigje. “Kosova është shtet sovran, i pavarur dhe multietnik, të cilin ne duam ta shohim tërësisht të integruar në strukturat euroatlantike dhe ndërkombëtare”.