Është vendosur burgim i përjetshëm për Muharrem Bugjisha, i akuzuar nga Prokuroria për vrasjen e shënuar më 25 korrik 2014 në Kukës.
Ngjarja e rëndë u shënua rreth dy vite më parë, ku mbetën të vdekur vëllezërit Emri dhe Bilbil Batusha, ndërsa u plagos Arbër Batusha 16 vjeç. Shkak u bë atëherë një konflikt verbal për tokën krom-mbajtëse.
Muharrem Bugjisha akuzohet se ka qëlluar 7 herë me pistoletë, nga të cilat ka mbetur i vdekur në vend Emri Batusha, ndërkohë që është plagosur rëndë dhe ka vdekur rrugës për në spital, Bilbil Batusha. Ndërkohë, nga plumbat ka mbetur i plagosur edhe shtetasi Arbër Batusha.
Menjëherë pas krimit, ai u largua dhe gjatë periudhës që ishte nën hetim, ka vijuar të jetë në kërkim. Ai u vetëdorëzua kur Prokuroria e Kukësit dërgoi kërkesën për gjykim ndaj tij, për veprat penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Mbajtje pa leje e armëve luftarake”.
Pavarësisht pretendimeve se Bugjisha ka pasur probleme mendore në kohën e kryerjes së krimit, gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë së Kukësit duke e dënuar me burgim të përjetshëm Muharrem Bugjishën.
INFORMACION, PROKURORIA KUKËS
Gjykata e Kukësit dënoi me burgim të përjetshëm shtetasin Muharrem Bugjisha, i akuzuar nga Prokuroria për vrasjen me armë të vëllezërve Emri dhe Bilbil Batusha, si edhe plagosjen e Arbër Batusha, pas një konflikti verbal mes tyre, lidhur me përdorimin e një hapësire tokë krom-mbajtëse në fshatin Kalimash. Ngjarja ka ndodhur mesditën e datës 25.07.2014 dhe nga hetimet e Prokurorisë rezultoi se i akuzuari Muharrem Bugjisha, në vijim të një debati verbal, ka qëlluar 7 herë me pistoletë, nga të cilat ka mbetur i vdekur në vend Emri Batusha, ndërkohë që është plagosur rëndë dhe ka vdekur rrugës për në spital, Bilbil Batusha. Ndërkohë, nga plumbat ka mbetur i plagosur edhe shtetasi Arbër Batusha.
Pas krimit, i akuzuari është larguar dhe gjatë periudhës së hetimit ai nuk është mundur të arrestohet.
Autori i akuzuar është vetëdorëzuar në kohën kur Prokuroria e Kukësit dërgoi kërkesën për gjykim ndaj tij, për veprat penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Mbajtje pa leje e armëve luftarake”.
Gjatë gjykimit, i pandehuri dhe mbrojtja e tij kanë pretenduar se Muharrem Bugjisha ka pasur probleme me shëndetin mendor si në kohën e kryerjes së krimit, po ashtu edhe në periudhën në vijim.
Pas kryerjes së ekspertizave ligjore, është konkluduar se i pandehuri nuk ka probleme të shëndetit mendor dhe se ai e ka kryer krimin në vijim të konflikti për të ndarë zonat e kërkimit të kromit në zonën e Kalimashit.
Në përfundim të procesit gjyqësor, Gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë së Kukësit dhe dënoi me burgim të përjetshëm të pandehurin.
(XH.A/SHUPLAKA)