Kjo e martë do të sjellë për herë të dytë në një vizitë zyrtare në Shqipëri, kancelaren Angela Merkel, e cila është në fund të mandatit të saj qeverisës. Merkel do të ketë një takim të përbashkët, kokë më kokë me kryeministrin Edi Rama rreth orës 10:30, dhe më pas do të jetë pjesë e takimit me liderët e Ballkanit Perëndimor (Maqedoni, Mali i Zi, Kosova, Bosnja Hercegovina, Serbia dhe Shqipëria.
Në mesditë Rama dhe Merkel do të kenë një konferencë të përbashkët me gazetarët, ku do ti përgjigjen edhe pyetjeve me interes të tyre. Kjo është hera e dytë që Merkel viziton Tiranën, të dyja herët nën qeverisjen e Edi Ramës.
Pjesë e diskutimeve në takimin mes Ramës dhe Merkel do të jetë marrëdhëniet dypalëshe mes vendeve, dhe në aspektin ekonomik, si dhe prespektiva e Shqipërisë për integrimin në BE.
10.20 – Ceremonia e mikpritjes në Pallatin e Brigadave
10.30 – Takim Tête-à-tête mes Kryeministrit Edi Rama dhe Kancelares Angela Merkel në Pallatin e Brigadave
11.00 – Takim bilateral mes dy delegacioneve në Pallatin e Brigadave
11.50 – Mbërritja e Kryeministrit dhe krerëve të qeverive të Ballkanit në Tirana Business Park.
11.55 – Mbërritja e Kancelares Merkel në Tirana Business Park
12.00 – Foto Familjare me krerët e delegacioneve në Tirana Business Park.
14.35 – Konferencë për shtyp mes Kryeministrit Rama dhe Kancelares Merkel në Tirana Business Park
Vizita e kancelares pritet që të mbahet nën masa të rrepta sigurie, ku një pjesë e mirë e akseve rrugore do të jenë të bllokuara që prej orës 09:00 të mëngjesit deri në orën 13:00. Në njoftimin e djeshëm policia kërkoi mirëkuptim për devijimin e trafikut, dhe rekomandoi shmangien e lëvizjeve në orarin e sipërcituar.
Njoftimi i policisë për masat:
Në kuadër të masave për sigurimin e rendit dhe sigurisë publike para, gjatë dhe pas zhvillimit të takimit të Kancelares së Republikës Federale të Gjermanisë dhe Kryeministrave të Ballkanit Perëndimor në vendin tonë, më datë 14.09.2021, në Tiranë, në disa segmente rrugore, për motive sigurie, do të ketë bllokime dhe devijime të lëvizjes së automjeteve, konkretisht në Rinas-Unaza e Re, Sauk, Rruga e Elbasanit deri tek Pallati i Brigadave.
Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e drejtuesve të automjeteve që të shmangin lëvizjen në këto segmente rrugore, me qëllim moskrijimin e mbingarkesës në trafik nga ora 09:00 deri në orën 13:00 të datës 14 shtator, si dhe të përdorin rrugë alternative për të shkuar në destinacionet e tyre.
Shërbimet e Policisë do jenë prezente në të gjitha akset rrugore hyrëse dhe dalëse të qytetit të Tiranës dhe në rrugët e tjera në brendësi të kryeqytetit, me qëllim marrjen e masave për të siguruar dhe rregulluar trafikun në rrugët alternative, si dhe për t’iu ardhur në ndihmë përdoruesve të rrugës që do kenë nevojë.
Përpara vizitës në Tiranë Angela Merkel udhëtoi drejt Beogradit, ku u prit në takim nga presidenti Aleksandër Vuçiç, të cilit iu bë e qartë se pa zgjidhjen përfundimtare të çështjes me Kosovën, nuk ka integrim për në BE. Vuçiç nga ana e tij vlerësoi lart rolin e kancelares Merkel në zhvillimet në rajon, dhe tha se qeverisja e saj ishte një garanci e madhe për të gjitha vendet. (Lexo edhe ketu lajmin)
(E.K/Faxweb.al)