Presidenti i Shqipërisë dhe Kosovës kanë shprehur ngushëllimet e tyre për ndarjen nga jeta të shkrimtarit Moikom Zeqo. Meta u shpreh i tronditur për humbjen e Zeqos, të cilin e konsideron si dishepull të mirësisë, miqësisë e humanizmit që la pas trashëgimi kulturore që do shërbejë si piketë e rëndësishme për kulturën.
“Thellësisht i tronditur për ndarjen nga jeta të Moikom Zeqos, mendimtarit të vyer, eruditit, zërit të fuqishëm, penës së fortë dhe poliedrike, intelektualit të angazhuar e të përkushtuar ndaj së mirës publike e interesit kombëtar, dhe njërit ndër shkrimtarët më prodhimtarë të letërsisë sonë.
Me një personalitet njerëzor dhe intelektual të jashtëzakonshëm, dishepull i mirësisë, i miqësisë dhe humanizmit, i përkushtuar me fisnikëri ndaj virtytit dhe lirisë, përmes një jete të mbushur me kontribute të shumta e të çmuara, si shkrimtar, studiues, poet, arkeolog, politikan, eseist dhe si filozof, trashëgimia tepër e vyer akademike dhe kulturore që la pas Moikomi do shërbejnë përherë si piketa të rëndësishme në kulturën dhe historinë e së ardhmes të kombit tonë.
Ngushëllimët më të sinqerta Lidës së dashur, fëmijëve, të afërmve, miqve e bashkëpunëtorëve të panumërt, për këtë humbje të madhe që le pas shumë dhimbje. Kujtimi dhe veprat e Tij do të mbeten të paharruara!”, shkruan Meta në Facebook.
Ndërsa presidenti i Kosovës thotë se Shqipëria humbi një kolos të mendimit dhe dijes enciklopedike me humbjen e tij.
“Me pikëllim mora lajmin për vdekjen e shkrimtarit erudit Moikom Zeqo. Me dijet e shumta nga fusha e letërsisë, historisë dhe shkencave humane, Moikom Zeqo ka lënë gjurmë të pashlyera në kulturën shqiptare.
Moikom Zeqo ishte përkrahës i fuqishëm i çështjes së Kosovës, veçanërisht mbështetës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës qysh në ditët e para të veprimit të saj. Bota shqiptare me vdekjen e tij humbi një kolos të mendimit dhe dijes enciklopedike. Ngushëllimet më të sinqerta familjes së Moikomit dhe gjithë miqve të tij”, shkruan Thaçi.
Studiuesi dhe shkrimtari i mirënjohur, Moikom Zeqo nuk ia ka dalë dot ta përballojë sëmundjen e rëndë, prej së cilës vuante prej vitesh. Ai ka ndërruar jetë sot në moshën 71 vjeçare në banesën e tij në kryeqytet.(A.M/Faxweb.al)