Një investigim i kryer së fundmi vë përpara përgjegjësisë Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë, e cila akuzohet se i ka shitur armë një ndërmjetësi të dyshimtë bullgar. Referuar investigimit të realizuar nga “Birn”, kompania shtetërore e eksportit të armëve, Meico, akuzohet se i ka shitur 17.5 milionë fishekë kinezë, 350 mortaja dhe 40,000 predha mortajash, me vlerë totale mbi 1 milion euro kompanisë bullgare Alguns Ltd.
Shitja mësohet se është kryer në vitin 2015, ndaj kompanisë bullgare që ishte pjesë e programit të SHBA-ve për trajnimin dhe pajisjen e rebelëve sirianë.
Pronari i kësaj kompania, Alexander Dimitrov, njihet si një partner biznesi i figurës famëkeqe bullgare të krimit të organizuar, Boyan Petrakiev Borisov, i njohur me nofkën “Baroni”. Një dokument i publikuar në vitin 2010 shpjegon se Petrakiev ka qenë i dënuar dhjetë herë si dhe ai u ballafaqua me tetë çështje të tjera për një numër të madh krimesh.
Në dokumentet e siguruara nga grupi investigues tregohet se si armët e vjetra kineze dhe shqiptare si dhe municionet janë eksportuar në Bullgari si pjesë përfshirëse e katër licencave të eksportit të lëshuara nga MEICO për kompaninë Alguns në vitin 2015.
Sipas ekspertëve të armëve, Bullgaria nuk ka gjasa që të jetë destinacioni final i armëve dhe municioneve shqiptare, duke marrë në konsideratë vjetërsinë e tyre dhe faktin që Sofja ka një ushtri relativisht moderne dhe është anëtarë e NATO-s.
“Roli i Alguns në programin e armatosjes dhe trajnimit të rebelëve sirianë u bë publik për herë të parë në Qershor 2015, kur Francis Norëillo, një veteran 41-vjeçar i marinës amerikane vdiq si rezultat i shpërthimit të një predhe antitanku në një poligon qitjeje në fshatin e Aveno-s në Bullgarinë Qendrore. Ky poligon është pronë e prodhuesit shtetëror bullgar të armëve, VMZ Sopot.
Pas shpërthimit, autoritetet bullgare u shprehën se Alguns kishte marrë me qira poligonin dhe kishte siguruar predhën që shpërtheu. Në Shtator 2015, kompania u sanksionua me një gjobë prej 62,500 euro pasi kishte dështuar të siguronte një leje nga Ministria e Ekonomisë në Bullgari për seancën fatale, por Alguns i mohoi akuzat dhe u pastrua më pas në Apel.”, shkruhet ndër të tjera në artikull.
Por ky incident nuk është i vetmi ballafaqim i Alguns me ligjin, pasi kjo kompani u gjobit me 1,000 euro në Qershor të 2016-ës, për shkak se nuk kishte siguruar dokumentacionin e duhur për një dyqan municionesh që mbante në Sliven, në jug të Bullgarisë.
(XH.A/SHUPLAKA)