Një studente myslimane me shami nga qyteti i Shkupit, Sumeja Ademi ka rënë pre e sulmit bashkë me shoqen e saj nga tre persona të krishterë, raporton Anadolu Agency (AA).
Vajza, e cila bashkë me shoqen e saj të universitetit u sulmuan nga një grup të rinjsh, dy meshkuj dhe një femër, shpjegon për AA se ngjarja ndodhi të enjten e kaluar në qendër të qytetit teksa ishin ulur në një stol. Në kohën kur pranë tyre kaloi grupi, siç thotë Sumeja, duke mos ditur se shoqja e saj është maqedonase ata ndaluan dhe filluan t’i provokojnë me fjalë si ‘shqiptarë të ndyrë’, ‘terroristë të mallkuar”. Ndërkohë lajmi është bërë publik ditën e sotme.
Pasi 19-vjeçarja dhe shoqja e saj nuk kanë reaguar dhe kanë vendosur të tërhiqen, pas disa minutave përsëri janë takuar me të njëjtin grup, ndërsa vajza vendosi t’i pyes se çfarë është problemi, pse u sulmuan dhe çfarë të keqe u ka bërë. Agresorët i janë përgjigjur se i bezdis veshja e saj, pas së cilës ka reaguar shoqja krishtere duke e mbështetur Sumeja-n, gjë e cila ka ngjallur zemërim tek grupi i tre personave maqedonas. Në atë moment, vajza nga grupi i sulmuesve është përpjekur t’ia heq shaminë Sumeja-s, mirëpo pas disa lëndimeve të lehta kanë arritur të largohen.
“Filluan mua të më quajnë se jam terroriste, shqiptare e ndyrë dhe se ky është një vend i krishterëve dhe një ditë të gjithë neve do të na dëbojnë.
Djali më kapi dorën dhe filloi të më tërheqë zvarrë duke më porositur të largohem nga ky vend. Me shoqen time arritëm të tërhiqemi, por ata qëndronin pas nesh dhe na thonin ‘terroristë islamik, zhdukuni nga keni ardhur në Arabinë Saudite, ky vend është i krishterëve’. Rreth nesh kishte shumë njerëz, askush nuk ndërhyri. Të gjithë qëndronin të heshtur dhe shikonin nga anash”, deklaroi Sumeja për AA.
19-vjeçarja: Kryqi simbolizon fenë e tyre, shamia simbolizon fenë time
19-vjeçarja që u sulmua thotë se në Shkup është rritur dhe jeton, ndërsa sulmi të cilin nuk e ka imagjinuar se mund t’i ndodh, nuk e ka shokuar, por e ka tronditur tej mase. Ajo thotë se ky rast nuk do të ketë efekt që të ndalojë të shoqërohet me maqedonas, turq apo me përkatësitë tjera etnike që jetojnë në Maqedoni.
“Kjo shami nuk është një simbol i terrorizmit, por është simbol i një feje. E njëjtë sikurse një maqedonas që mban kryqin, që është simbol i fesë së tyre, edhe kjo shami është simboli fesë sime. Ashtu si unë që respektoj simbolin e tyre, ashtu duhet ata të respektojnë simbolin tim, sepse jetojnë në shekullin e 21 dhe duhet të ketë harmoni, dashuri dhe paqe mes nesh, e jo urrejtje”, shprehet Sumeja, duke porositur se jeta mbetet për të rinjtë që nesër të përhapin paqen, e jo të urrehen dhe të ndahen në bazë fetare ose kombëtare. Sipas saj, kjo ngjarje e pakëndshme ndodhë për arsye të situatës aktuale politike në Maqedoni. Ajo apelon që qytetarët e Maqedonisë, veçanërisht të rinjtë mos bien në provokime dhe manipulime politike, por të luftojnë që të ketë harmoni mes qytetarëve këtij vendi multi-etnik dhe multi-kulturor, pa marrë parasysh se cilës fe apo përkatësi etnike i takojnë. “Sot mua më ndodhi, nesër mund t’i ndodh dikujt tjetër. Jo vetëm një shqiptari, por mund edhe një shqiptar apo një turk të sulmojë një maqedonas. Mos të lejojmë një gjë të tillë të ndodh, por të kontribuojmë për paqe dhe harmoni mes nesh”, apelon Sumeja tek qytetarët e Maqedonisë.
Sulmet me karakter etnik nuk janë të pakta në Maqedoni ku në qytetet ku maqedonasit nuk janë shumicë absolute ka pasur disa herë përplajse.
(M.D/ Shuplaka)