Ditën e sotme në orën 15:00 në Komisionin e Ligjeve do të zhvillohet një seancë dëgjimore për 7 kandidatët e paraqitur për postin e Prokurorit të përkohshëm.
Por deri më tani flitet se PD do të bojkotojë këtë seancë dëgjimore pasi nuk janë për të vendosur një Prokuror të përkohshëm dhe duan vetëm zbatimin e Kushtetutës për zgjedhjen e Kryeprokurorit.
Kuvendi ka publikuar emrat e kandidatëve, që u paraqitën brenda afatit dhe përmbushnin kriteret. Ja njoftimi i plotë:
Bazuar në vendimin nr. 9, datë 07.12.2017 të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë shpalli publikisht në faqen zyrtare të tij garën për vendin vakant të Prokurorit të Përgjithshëm të përkohshëm, duke ftuar të gjithë prokurorët me më shumë eksperiencë nga rradhët e prokurorëve dhe që përmbushin kushtet e kriteret e kreut IV, seksioni I të ligjit nr. 97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, që brenda 5 ditëve nga miratimi i këtij vendimi, të depozitonin pranë komisionit përgjegjës një curriculum vitae të kandidatit dhe pëlqimin e tij për kandidim, duke përcaktuar si afat kohor datën 12 dhjetor 2017, ora 18:00.
Me mbarimin e afatit të përcaktuar në vendimin e mësipërm të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, rezulton se deri në orën 18:00 të datës 12 dhjetor 2017, në Sekretarinë e Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë, kanë dorëzuar shprehjen e interesit për Prokuror të Përgjithshëm të përkohshëm kandidatët si më poshtë:
Arqilea KOÇA
Arta MARKU
Artur SELMANI
Besnik MUÇI
Ferdinand ELEZI
Granit SHAHU
Ermira TAFANI
(J.V/Faxweb)