Shtyhet seanca ankim kundër Vendimit të Prokurorisë së Përgjithshme për pushimin e çështjes ndaj Kryeministrit Edi Rama në Gjykatën e Beratit. Seanca u drejtua nga kryetarja e trupit gjykues Lutfije Celami, ndërsa LSI si palë ankuese përfaqësohej nga avokat Ylli Manjani.
Përfaqësuesi i prokurorisë Dritan Gripshi, ka kërkuar më tepër kohë për t’u njohur me çështjen. Manjani u shpreh se Prokuroria e Përgjithshme duhet të ishte vetë prezent për të debatuar në lidhje me çështjen.
Gjykata vendosi që seanca e radhës të zhvillohet në datë 21, duke shtyrë kështu ankimimin e LSI-së. Nga ana tjetër Manjani u shpreh menjëherë pas vendimit se Rama duhet të kërkojë falje në seanca gjyqësore dhe jo në rrjetet sociale, për atë deklaratë të bërë, për të cilën dhe e kemi paditur në Prokurorinë e Përgjithshme. Kjo prokurori e lë çështjen në Prokurorinë e Beratit, e cila bëhet e njohur vetëm dy ditë më parë me çështjen duke mos treguar seriozitet, gjë e cila bëhet shkak për shtyrjen e seancës.