Gjykata e Apelit në Colmar sot ka shtyrë për 6 prill vendimin për lirimin ose ekstradimin e Ramush Haradinajt në Serbi. Vijon në këtë mënyrë zgjatja e këtij procesi.
“Vendimi merret me 6 prill”, ka thënë vetë Haradinaj pas përfundimit të seancës.
“Gjykata ka vendos për informata shtesë. Vendimi i radhës më 6 prill. Jam peng politik”, ka thënë ai.
Ramush Haradinaj u ndalua më 4 janar nga autoritetet franceze, në bazë të një urdhër-arresti serb të lëshuar 13 vjet më parë. Më 12 janar, Gjykata e Apelit në Kolmar e liroi me kusht që të qëndrojë në Francë, në pritje të shqyrtimit të kërkesës serbe për ekstradim. Ndalimi i tij nxiti reagime të ashpra në Kosovë, ku u mbajtën edhe protesta me kërkesën për lirimin e tij.
Ky është rasti i dytë që Haradinaj ndalohet në bazë të një urdhër-arresti serb. Në qershor të vitit 2015 ai u ndalua në aeroportin e Lubjanës, në Slloveni, ndërsa po kthehej nga një vizitë zyrtare në Berlin. Autoritetet në Kosovë kanë kërkuar disa herë nga policia ndërkombëtare, Interpol, që mos të merren parasysh urdhër-arrestet e lëshuara nga autoritetet e Serbisë për qytetarët e Kosovës.(E.K/SHUPLAKA)