Për Edi Ramën, kryeministrin e vendit, nuk do të thotë aspak se njerëzit duhet të ngrihen në këmbë dhe të duartrokasin qeverinë e tij, por për të të dhënat e ekonomisë janë realiste.
Lexoni pa asnjë koment se çfarë tha tani, para deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë:
SI E KOMENTON EKONOMINË SHQIPTARE RAMA:
”Buxheti është ndërtuar i tëri me një përgjegjshmëri dhe realizizëm që ka karakterizuar për hir të së vërtetës edhe buxhetin e këtij viti. Në Dogana dhe Tatime rritje 7%, të ardhurat nga kontributi i Sigurimeve Shoqërore janë rritur me 10%.
Rritja reale ekonomike pritet të jetë 3.9-4 %.
Shqipëria ka rritje më të lartë ekonomike në rajon dhe këtë e thotë edhe BE, që e vlerëson vendin tonë për konsolidim e financave dhe uljen e borxhit.
Këto shifrat nuk thonë aspak se njerëzit duhen të ngrihen në këmbë dhe të duartrokasin qeverinë dhe të ndihen të lumtur, ne nuk jemi aspak të lumtur, me buxhetin ne vendosim një bazë të re për të bërë shumë më tepër.
Vitin e ardhshëm trendi rënës i borxhit publik, ka ardhur duke u reduktuar në 2.5%.
Reduktimi i pragut të TVSH-së për bizneset e vogla do të nxisë formalizimin e ekonomisë.
Mënyra e taksimit të ndërtesave, pasi kalohet nga taksa e sheshtë në një taksë që bazohet në vlerën e pronës dhe këtu e rëndësishme është iniciativa e zerimit për pension kryefamiljarët dhe familjet në ndihmë ekonomike, hap që na çon më tutje në konsolidimin e politikës sonë se kush fiton më pak duhet të paguajë më pak.
Politika jonë nuk ka qenë dhe nuk do të jetë politika e rëndimit të më të dobëtit.
Buxheti ka një rritje të ndjeshme për arsimin dhe shëndetësinë, dy sektorë shumë të ndjeshëm në vendin tonë.
Infrastruktura do të marrë 42 % më shumë investime nga ç’ka marrë deri më tani, Bujqësia do të ketë një paketë prej 15% më shumë investime, turizmi do të mbështetet në një paketë lehtësuese për të gjitha ato marka ndërkombëatre që do të investojnë në hotelet me 4 dhe 5 yje, dhe patjetër që paralelisht me këto kemi dhe një volum të konsiderueshëm investimesh të programit tonë të rilindjes urbane, që do të shtrihen edhe në zonat rurale, me prioritet zonat që kanë prespektivë turizmin.
Duke qenë se sot është dita ndërkombëtare e tolerancës unë po e lë me kaq, dhe nuk po ju them që ato që do të dëgjoni sa të ulem unë janë totalisht për të qeshur dhe jo për të qarë.”
NJË LLOGARITJE E THJESHTË NGA EKSPERTËT E TAKSËS SË BANESËS, RRITET ME 40%
Qytetarët shqiptarë do të paguajnë më shumë taksa për banesat e tyre, nga janari 2018. Qeveria Rama ka propozuar, në paketën fiskale 2018, që tatimi mbi banesat të jetë përqindje e vlerës së tyre dhe jo një taksë në shumë fikse si deri më tani.
Ky ndryshim do të sjellë të paktën një rritje prej 1500 deri në 3000 lekë në vit për çdo familje. Të ardhurat nga kjo taksë do të mblidhen nga pushteti lokal. Le të marrim një shembull konkret për të kuptuar më qartë ndryshimin në taksën e shtëpisë:
Taksa sot
Aktualisht, taksa për shtëpinë është 15 lekë për metër katror për një shtëpi të ndërtuar para vitit 1993, dhe 30 lekë për metër katror për një shtëpi të ndërtuar pas vitit 1993.
Pra, një familje që jeton në një apartament me sipërfaqe 100 metra katrorë, kudo në Tiranë, paguan 1500 lekë në vit nëse shtëpia është ndërtuar para vitit 1993, ose 3000 lekë në vit nëse shtëpia është ndërtuar pas vitit 1993. Kjo taksë paguhet e ndarë në 12 muajt e vitit.
Taksa sipas paketës fiskale 2018
Në variantin e paketës fiskale 2018 që po diskutohet aktualisht në komisionet parlamentare, Qeveria Rama parashikon që taksa për shtëpitë të jetë sa 0,05 për qind e çmimit mesatar fiskal.
Ky çmim është përcaktuar nga qeveria Rama gjatë procesit të rivlerësimit të shtëpive, proces i përfunduar në maj të këtij viti.
Këto çmime reference ndryshojnë në zona të ndryshme të Tiranës dhe janë çmimet që përdoren nga zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në rastet e shit-blerjeve të banesave.
Më konkretisht Tirana ndahet në 11 zona të ndryshme, të cilat brenda tyre kanë disa nën ndarje sipas zonave kadastrale, dhe çmimet e referencës variorjnë nga 60 mijë lekë në 190 mijë lekë për metër katrorë.
Pra, një familje që jeton në një apartament 100 metra katrorë të ndërtuar pas vitit 1993, tek zona Komuna e Parisit (ku çmimi i referencës është 107 mijë lekë për metër katrorë), më parë paguante 3000 lekë në vit, ndërsa tani do të paguajë 5350 lekë, pra 2350 lekë më tepër.
Vetëm në rastet kur qytetarët e Tiranës banojnë në një apartament 100 metra katrorë në ato zona ku çmimi i referencës është 60 mijë lekë (Porcelan, Kinostudion, Linzë, Bregu i Lumit, Allias, “5 maji”) taksa e shtëpisë shkon 3000 lekë në vit, pra e barabartë me taksën aktuale për shtëpitë e pas vitit 1993. Për të gjithë banorët e zonave të tjera, taksa e shtëpisë në vitin 2018 do të rritet.
(V.G/Faxweb)