Forcat e sigurisë siriane filluan të dislokohen në provincën jugore Suwayda pas disa ditësh përleshjesh të dhunshme dhe trazirash.
“Pas ngjarjeve të përgjakshme të shkaktuara nga grupe jashtëligjore dhe me urdhër të drejtpërdrejtë nga Presidenca, forcat e sigurisë së brendshme kanë filluar dislokimin në Suwayda si pjesë e një misioni kombëtar”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Noureddin al-Baba.
Ai tha se “qëllimi i tyre parësor është të mbrojnë civilët dhe t’i japin fund kaosit,” si dhe theksoi se “forcat e sigurisë do të përdorin të gjitha burimet për të ndalur sulmet, për t’i dhënë fund përleshjeve të brendshme dhe për të rikthyer stabilitetin në provincë”.
Deklarata e tij erdhi disa orë pasi ambasadori amerikan në Turqi tha se Siria dhe Izraeli kanë rënë dakord për një armëpushim.
Më 13 korrik, shpërthyen përleshje mes fiseve arabe beduine dhe grupeve të armatosura druze në Suwayda. Dhuna u përshkallëzua dhe pasuan sulme ajrore izraelite, përfshirë ndaj pozicioneve dhe infrastrukturës ushtarake siriane në Damask. Izraeli e justifikoi ndërhyrjen me “mbrojtjen e komuniteteve druze.”