Gjykata e Beratit ka dhënë sot masat e arrestit për tre të ndaluarit, të dyshuar se hodhën në treg 21ton mandarina të ndaluara për tregtim, të kthyera nga Kroacia.
Seanca për caktimin e masës së sigurisë u zhvillua me dyer të hapura. Në përfundim, Gjykata e Beratit e konsideroi të vlefshëm arrestimin dhe vendosi masën e arrestit me burg për të tre të ndaluarit: Arben Dyli grumbullues- arrest me burg, Elton Tafaj, fermer – arrest me burg, Elson Tahiraj, inspektor shteti- arrest me burg
Gjyqtari i çështjes ishte Ilirjan Hysa, ndërsa prokurore Malvina Pellumbi.
Gjatë seancës, avokatët mbrojtës i cilësuan të ndaluarit si viktima të konkurrencës tregtare, duke pretenduar se qëllimi ishte dëmtimi i tregtarëve vendas. Avokati mbrojtës i Arben Dylit madje hodhi dyshime mbi vërtetësinë e analizave të autoriteteve kroate. Në dëshminë e tij para trupit gjykues, eksportuesi Arben Dyli u shpreh se nuk ishte në dijeni se duhej të njoftonte AKU-në pas kthimit të produktit nga Kroacia.
Pavarësisht argumenteve të mbrojtjes dhe deklaratave të të arrestuarve, Gjykata vendosi masën e arrestit me burg për të tre të ndaluarit.