Të tjera detaje janë zbardhur lidhur me skandalin e diplomave në Kolegjin Wisdom, ku autoritetet ligjzbatuese italiane, pas hetimeve kanë zbuluar skemën se si shiteshin diplomat kundrejt pagesave që varionin nga 7 deri në 10 mijë euro.
Në prangat e autoriteteve italiane kanë rënë 9 persona, të gjithë italianë, mes të cilëve edhe pronarët e këtij Kolegji.
Guardia Di Finanza Italiane ka zbuluar se nga Tirana, Qipro e Britania me mijëra diploma false janë shitur për shtetas italianë në vlerat nga 7000-10.000 euro për diplomë. Sipas mediave atje, pjesë e skemës është edhe një zyrtare e institucioneve në Shqipëri, e cila ka favorizuar pronarët e Kolegjin Wisdom, Savino Cianci dhe Lucia Catalano.
Madje në dosjen e publikuar nga mediat italiane thuhet se kësaj zyrtareje i është dhënë një çantë e firmës “Louis Vuitton” që ka kushtuar 1150-1200 euro.
Dhurata i është dorëzuar gjatë një darke, ndërsa e gjithë situata zhvillohet në gusht të 2022.
Në krye të skemës me diploma që ‘përmbytën’ tregun italian qëndronte çifti i të sapomartuarve Savino Cianci dhe gruaja e tij Lucia Catalano, të dy administratorë të universitetit. Duke përfituar nga lidhjet që kishin në Shqipëri dhe në Itali, ata morën drejtimin e Universitetit me premtimin që do ta shndërronin në një qendër të mësimdhënies, për të gjithë studentët e ekselencës në Ballkan.
Në rrjetet sociale Nino Cianci ka postuar foto nga jeta e tij në Shqipëri, ku nuk mungojnë takime me zyrtarë, profesorë dhe një axchendë e ngjeshur universitare.
Ndërkohë referuar të dhënave nga dosja, Cianci dhe Catalano janë kujdesur që me rastin e Krishtlindjes (25 dhjetor) të përgatisin dhe të dorëzojnë dhurata edhe drejtuesit e Ministrisë së Arsimit, duke përmendur emrin e Evis Kushit. Dhe gjithashtu në listën e personave që ishin edhe shtetas italianë.
“Lucia Catalano dhe Savino Cianci bëjnë çmos për të përgatitur dhe për të dorëzuar dhuratat për festat e Krishtlindjeve për: Pietrangeli (ambasador), Lucia Cuçiarelli dhe Carlo Intaschini, Evis Kushi…”, thuhet nder të tjera në dokumentet e publikuara nga mediat italiane.