Sonila Meço na mban pezull një histori të patreguar më parë për mbylljen e një nga televizioneve që nisi me shumë bujë në vendin tonë. Kanë kaluar tashmë dy vite nga fikja e sinjaleve, teksa Sonila tregon se gjithçka ndodhi në mënyrën më arbitrare të mundshme.
Ajo thotë se rasti i Agon Channel është pasqyrë kristal për të kuptuar llojin e shtetit ku kemi ‘varur’ lëkurën tonë. Po ashtu gazetarja paralajmëron se një ditë do të flas në lidhje me shkaqet se pse ajo nuk është rikthyer më në një media.
”Unë zgjodha me vullnet të qëndroj larg ekranit, për sa kohë nuk e kam dëshmuar të plotë atë histori. Misioni i parë i gazetarit është ta tregojë. Dhe në përpjekjen për të mos bërë gabimet e së shkuarës, si shumkush në profesionin tonë, që i është dashur të durojë ca më shumë, për të thënë ca të vërteta sadopak, 2 vjet më ngjajnë çmimi për t’u paguar për të mos iu rikthyer ‘kazanit’, atij pa të cilin pushteti nuk do ‘ziente’ dot të palarat e veta.
Atje ku asgjë nuk është e sigurt, gjithçka është e mundur.
Faleminderit me zemër kujtdo që ma kujton me dëshirën për të më parë sërish në ekran! E kam thënë gjithnjë se dhuna vepron shpejt e drejtësia i ka ritmet e ngadalta, por unë kam vendosur të respektoj të dytën, për t’u rikthyer në ekran edhe me një mundësi më shumë për të mos i lënë hapësirë së parës”, shkruan Meço ndër të tjera.
SHKRIMI I PLOTË I MEÇOS:
Kur më 10 tetor 2015, pas 14 vitesh karrierë televizive, me prezencë thuajse ditore në ekran, mu desh të dëshmoja fikjen e një sinjali drejtpërdrejtë, nuk mendoja për ç’vinte pas. Me instiktin e gazetarit, ndjeja një ngasje të paprovuar të tregoja një histori të patreguar: të jesh aty, live, duke raportuar mbylljen e një medieje në Shqipëri. Arbitrarisht. Me vullnetin e shprehur të pushtetit, që ende nuk kish pagëzuar ‘kazan’ ç’mbetej. Më mirë ‘shuar’ si media, mendoj sot, se si kazan.
Sepse në thelb, po të jemi të sinqertë deri në fund, u fikën të tëra dalëngadalë. Me ndonjë iskër që ende prushon në ‘hirin’ që ka krijuar propaganda.
Kanë kaluar 2 vjet, ende nuk e kam shkruar atë histori, të cilën mezi pres ta tregoj. Sepse me gjithë përpjekjen e jashtëzakonshme të disa portaleve për të bërë gazetarí të mirë, rasti i Agon Channel është pasqyrë kristal për të kuptuar llojin e shtetit ku kemi ‘varur’ lëkurën tonë. Sa më e trashë bëhet, aq më shumë i rëndon e aq më i gatshëm është të përdorë pushtetin për ta holluar.
Unë zgjodha me vullnet të qëndroj larg ekranit, për sa kohë nuk e kam dëshmuar të plotë atë histori. Misioni i parë i gazetarit është ta tregojë. Dhe në përpjekjen për të mos bërë gabimet e së shkuarës, si shumkush në profesionin tonë, që i është dashur të durojë ca më shumë, për të thënë ca të vërteta sadopak, 2 vjet më ngjajnë çmimi për t’u paguar për të mos iu rikthyer ‘kazanit’, atij pa të cilin pushteti nuk do ‘ziente’ dot të palarat e veta.
Atje ku asgjë nuk është e sigurt, gjithçka është e mundur.
Faleminderit me zemër kujtdo që ma kujton me dëshirën për të më parë sërish në ekran! E kam thënë gjithnjë se dhuna vepron shpejt e drejtësia i ka ritmet e ngadalta, por unë kam vendosur të respektoj të dytën, për t’u rikthyer në ekran edhe me një mundësi më shumë për të mos i lënë hapësirë së parës.
Së shpejti…
(E.K/SHUPLAKA)