Zbardhen detajet e takimit të sotëm mes nënkryetarit të Partisë Demokratike Edi Paloka, me senatorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Gjatë këtij takimi,Paloka konfirmoi mirënjohen maksimale të popullit Shqiptar dhe në veçanti të Partisë Demokratike për mbështetjen që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë demokracisë në vend.
“Kjo vizitë është dëshmia më e mirë e kësaj mbështetjeje dhe të interesit të Shteteve të Bashkuara ndaj krizës që po kalon vendi”, tha Paloka.
Nënkryetari i PD-së i njohu senatorët me faktin se prej katër vitesh Shqipëria është nën diktatin e një qeverisjeje të kapur nga interesa të ngushta kriminale, nje qeveri e cila ka mbështetur dhe është implikuar drejtëpërsëdrejti në kanabizimin e vendit.
Sipas tij, me fitimet kolosale të trafikimit të kanabisit, është financuar dhe blerja masive e votës anembanë vendit ne zgjedhjet e 25 qershorit.
“Partia Demokratike do të vazhdojë të luftojë për një Shqipëri demokratike e një qeverisje totalisht të shkëputur nga interesat kriminale e korruptive duke mbështetur integrimin europian ashtu si dhe forcimin e shtetit ligjor. Në këtë drejtim, kontributi Amerikan do të ngelet jetik duke dalur gjithmonë në krah të vlerave euro-atlantike të vërteta.”, tha ndër të tjera Paloka.
Katër senatorët, Roy Blunt, John Cornyn, Tom Cotton dhe Thom Tillis më herët zhvilluan edhe një takim me Presidentin e Republikës Ilir Meta. (D.D/Shuplaka)