Pas kthimit nga Konferenca e Sigurisë në Mynih të Gjermanisë, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka deklaruar se nga diskutimet që ka pasur atje ka zbuluar se Ramush Haradinaj s’ka qenë i vetëm kur e ka vendosur taksën.
Sipas kreut të shtetit serb, një shtet i fuqishëm evropian i ka qëndruar mbrapa dhe e ka mbështetur.
Lidhur me këtë çështje ka folur sot analisti dhe njohësi i rrethanave në Ballkanin Perëndimor, Dushan Janjiq, i cili duke u thirrur në burime diplomatike është mundur të zbërthejë deklaratën e presidentit të Serbisë.
Sipas Janjiq, Vuçiç me qëllim nuk e ka përmendur emrin e shtetit pasi një gjë e tillë duhet të faktohet.
Siç ka thënë Janjiq i njohur nga burime diplomatike, bëhet fjalë për dy vende, njëra prej të cilave nuk është më anëtare e Bashkimit Evropian, duke aluduar në Britaninë e Madhe, raportojnë mediat në Kosovë.
Më tej analisti serb ka kujtuar faktin se si shtetet e QUINT-it në fillim nuk kishin dënuar vendimin për taksë 100 %.
“Vuçiç ka thënë sot se taksa ishte vendosur për ta përjashtuar Serbinë nga dialogu në një kohë kur kishte qenë shumë afër arritja e marrëveshjes me Kosovën.
Siç ka shpjeguar sot ai, planifikohej që Serbia ta merrte Veriun e Kosovës dhe Anamoravën, megjithatë një plan i tillë ishte prishur nga taksa”, shprehet Dushan Janjiq.