Një furtunë reagimesh kanë shkaktuar protestat e ditëve të fundit kundër vendosjes së tarifës në Rrugën e Kombit dhe lirimin e të arrestuarve kuksianë.
Tarifa nga 5 deri në 22 euro e gjysmë është konsideruar e papërballueshme nga ana e qytetarëve, duke krahasuar me zhvillimin ekonomik shumë të ulët në rajonin verilindor.
Moderatori Edi Oga e ka parë në një prizëm më të gjërë situatën, teksa thotë që të gjitha taksat që i janë shtuar faturës së ujit dhe të dritave do të shërbejnë në rastin më të mirë për mobiljet e zyrave të pushtetarëve, dhe në rastin më të keq te fëmijët e oligarkëve.
“Po vjen koha kur dritat (që rriten) do të jenë zëri me vlerën më të vogël tek fatura e dritave dhe uji (që rritet) tek fatura e ujit! Me krahë të lehta, taksat e reja!
Në rastin më të mirë, ato shërbejnë për mobilimin e zyrave të pushtetarëve. Në një rast më të keq, ato i shkojnë një oligarku, fëmija i të cilit mund t’ju shtypë me një “Lambo” tek vijat e bardha!”, shkruan Oga.
Derimë tani nga ana e qeverisë nuk është dhënë asnjë pasqyrë e saktë se sa mjete kalojnë çdo ditë në Rrugën e Kombit dhe të ardhurat që do të përfitojë kompania koncesionare.
(E.K/FAXWEB)