Për të 41-ën herë deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen për të vazhduar seancën për konstituimin e përbërjes së nëntë parlamentare të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Në seancën e 40-të, sikurse edhe në seancat paraprake, deputetët refuzuan që të votonin për një komision që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për zgjedhjen e kreut të ri të Kuvendit.
Fituesja e zgjedhjeve të shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje, ka të drejtë ekskluzive që të propozojë kandidatin për kryeparlamentar. Subjekti, që udhëhiqet nga Albin Kurti, insiston se Haxhiu është personi i duhur për të udhëhequr Kuvendin. Por, për PDK-në dhe AAK-në, Haxhiu konsiderohet figurë përçarëse, dhe ato kërkojnë që partia e Kurtit të ndryshojë kandidatin.
Një ditë më parë presidentja Vjosa Osmani, nisi takimet me krerët e partive politike. Takimin e parë e zhvilloi me Albin Kurtin, kreun e LVV njëherësh edhe kryeministër i Kosovës. Pas takimit Kurti tha se do të bëjë çmos për të formuar parlamentin e më pas qeverinë. Kreu në detyrë i qeverisë nuk shpjegoi sesi LVV do të veprojë për zgjidhjen e krizës.
Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri. Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re.